Përkeqësohet cilësia e ajrit, Morina rekomandon qytetarët të shmangin daljet e panevojshme në mbrëmje

Prishtinë | 06 Dhj 2019 | 14:48 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rënien e temperaturave është shtuar ndotja e ajrit në Prishtinë. Pavarësisht se gjendja nuk mund të cilësohet alarmane, kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK), Ilir Morina në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se prishtinasit duhet të shmangin daljet e panevojshme në orët e mbrëmjes.

“Situata ka filluar të përkeqësohet me uljen e temperaturave, popullata ende ose disa media janë duke përdoruar atë aparaturën e ambasadës amerikane të cilat janë të vendosura në një lokacion të papërshtatshëm por ajo është më shumë për nevoja të ambasadës por ne kemi dy stacione në Obiliq dhe dy në Prishtinë, që e paraqesin saktë gjendjen e regjionit të Prishtinës kemi poashtu edhe katër monitorë online. Njerëzit kur i kanë këto informacione nuk duhet të dalin pa nevojë shumë të madhe, prej orës 17:00 deri në orën 23:00 e kemi atë kulmin e ndotjes, disa herë po vazhdojmë deri në 1 të pasmesnatës, e pastaj qetësohet situata”, thotë ai.

Morina tregon se deri më tani cilësia e ajrit nuk mund të konsiderohet alarmane për shkak të kushteve të mira klimatike, por ai thekson se i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme

“Ka filluar rëndimi i situatës mirëpo jo në përmasa alarmante siç ndonjëherë po paraqitet. Fatmirësisht këtë vit moti kushtet klimatike janë më ndryshe dhe ende nuk kemi ndonjë ditë alarmante për të alarmuar popullatën, sepse zakonisht me ligjin e ajrit cilësisë së ajrit me direktiva kur tri ditë radhazi kemi tejkalim permanent të vlerave maksimale të lejuara atëherë ne i dërgojmë informacione tek qeveria dhe qeveria duhet të merr masa ose duhet të paraqet kushte emergjente ose alarmante”, thotë ai.

Morina, ka treguar se sipas një studimi që e kanë realizuar me ekspertët japonez del se në Prishtinë 80% e ndotjes vjen nga oxhaqet e shtëpive, që shfrytëzojnë thëngjillin dhe lëndët tjera djegëse të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

 “Sipas studimi të fundit vjet edhe sivjet që jemi duke e rikonfirmuar, me specialistët japonez del se qyteti i Prishtinës gati 80 % e ndotjes është duke ardhur nga oxhaqet  e shtëpive, gjitha shtëpive që shfrytëzojnë thëngjillin drutë, peleti, plastik të gjitha format, që fatkeqësisht inspektoratet komunale janë të pafuqishme ti kontrollojnë por gjithashtu edhe inspektorati qendrorë”, thotë ai.

Për këtë ai bënë fajtorë inspektoratet komunale dhe qendrore të cilat nuk po arrijnë t’i kontrollojnë përdoruesit, e sidomos servisët e automjeteve.

 “Kemi shumë probleme për t’i kontrolluar  dhe një vetëdije shumë të ulët të njerëzve që janë duke shfrytëzuar materie të rrezikshme për djegie sidomos vajrat dhe plastikët që janë duke i bërë ofiçinat e ndryshme, serviset e automjeteve, rreziku më i madh është duke ardhur prej tyre, këtu pastaj i shtohet edhe komunikacionet automjetet e vjetra dhe kur era frynë në drejtim të Prishtinës sjellë edhe grimcat nga KEK-u”, thotë ai.

Morina tregon hapat të cilat ka ndërruare kjo agjenci për të pasur një pasqyrë më të qartë të nivelit të ndotjes së ajrit, duke investuar në aparatura të reja në vlerë 4 milionë euro si dhe kompletimi i 12 stacioneve në 8 regjione të vendit.

“Kemi rinovuar të gjitha stacionet dhe i kemi vendosur pajisjet e reja me dy projektet që i kemi, projekti japonez të cilët kanë riparuar dhe kalibruar gjysmën e pajisjeve gjithashtu edhe ato lobaratorike, kanë sjellur pajisje të reja për matjen e shkarkimeve në KEK dhe në forma të tjera, trajnime të inspektoratit dhe zyrtarëve të agjencisë. Gjithashtu edhe programi “MSS” që është amerikan të cilët mbi 4 milionë dollarë janë duke i shpenzuar në aparatura të reja në stacione të reja”, thotë ai.

Morina e pranon që thëngjilli që shitet dhe përdoret është ilegal dhe për këtë e bënë fajtorë, inspektoratin e Komisionit të Informacioneve të Minierave, inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit dhe ato komunale në paaftësinë për të parandaluar siç e quan krim ndaj rrezikimit të shëndetit të popullit.

“Thëngjilli nëse është i ndaluar të nxirret ndalohet edhe të shitet, nuk e di si vjen deri tek përdorimi, pa aftësia e shtetit për të ndaluar shfrytëzimin ilegal  është duke u pranuar edhe prej inspektoratit të Komisionit të Informacioneve të Minierave që e kanë detyrë kryesore dhe nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Inspektoratet Komunale, të gjithë së bashku jemi duke e lejuar këtë krim që po shkakton rrezikimin e shëndetit të popullatës, kontrolli i dobët neve po na shkakton plakjen sëmundjet e hershme”, thotë ai.

Të ngjashme