Ajri që vret qytetarët e Kosovës

Prishtinë | 24 Nën 2018 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

45 ditë brenda një periudhe të shkurtër kohore, Prishtina ka shënuar vlera ekstreme të ndotjes së ajrit.

Ndotje enorme e ajrit është shënuar edhe në Obiliq, Han i Elezit e Drenas.

Për këtë situatë ndikojnë shumë faktorë, raporton KTV përmes magazinës javore informative “Cosmo”.

Shkaktarët kryesorë janë termoelektranat, veturat e shumta, si dhe lënda djegëse, thëngjilli.

Korporata Energjetike e Kosovës, me 2 termocentralet dhe minierat e saj, është ndotësi kryesor i ajrit.

Në miniera vazhdimisht bëhet nxjerrja e thëngjillit nga i cili bëhet edhe prodhimi i energjisë elektrike.

Nëse gjatë ditës funksionojnë 3 blloqet e Kosovës A, dhe dy të Termocentralit Kosova B, i bie që KEK-u prodhon rreth 900 megavat energji elektrike dhe mbulon 90 për qind të territorit të vendit.

Por, drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, thotë se KEK-u nuk është ndotësi kryesor në vend, pasi me investimet e fundit është ulur ndotja në masë të madhe.

Prandaj, Thaçi u sugjeron të gjithëve që të mos flasin në emër të KEK-ut, pasi shpeshherë deklaratat se KEK-u është ndotësi më i madh në vend, krijojnë panik të qytetarët.

Megjithatë, banorët që jetojnë në Obiliq kanë deklaruar se jeta në këtë qytet është bërë e vështirë për shkak të ndotjes së ajrit nga KEK-u.

Lënda djegëse, thëngjilli, llogaritet si problemi më i madh për ajrin.

Ai përdoret jo vetëm nga KEK-u, por edhe nga institucionet dhe ekonomitë familjare.

Familja Krasniqi nga Obiliqi ngrohet me thëngjill, pasi siç thotë, nga viti i kaluar u ka mbetur sasi e konsiderueshme e thëngjillit, andaj do ta përdorin edhe këtë vit, derisa t’u harxhohet.

Nga viti i kaluar, ish-ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, e pati ndaluar shitjen e thëngjillit, me arsyetimin se ndikon në ndotjen e ajrit.

Ndërsa, për këtë vit, ministri i këtij dikasteri, Fatmir Matoshi, tashmë e ka ndaluar shitjen e thëngjillit në Prishtinë, dhe Inspektorati i kësaj ministrie ka konfiskuar 7 kamionë me thëngjill.

Me këtë, po synohet që të ulet përdorimi i thëngjillit.

Madje, ministri Matoshi ka kërkuar që të respektohet vendimi që punëtorëve të KEK-ut mos t’u lejohet shitja e thëngjillit.

Kohët e fundit, qytetarët kanë synuar edhe alternativa tjera. Në tregun kosovar ka arritur peleti, një lëndë kjo që përbëhet nga mbetjet e drurit.

Kjo lëndë importohet nga Serbia, ndërsa në Kosovë ka nisur ambalazhimi i tij.

Por, edhe me përdorimin e tij janë paraqitur disa probleme.

Ministria e Mjedisit ka kërkuar që Ministria e Infrastrukturës të kontrollojë cilësinë e peletit të importuar nga Serbia, pasi u raportua se ka përmbajtje kancerogjene.

Në një përgjigje me shkrim nga zyra për informim e MTI-së, thuhet se “nga inspektimet e kryera, produkti pelet druri për ngrohje është i deklaruar dhe shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm teknik, respektivisht me test-raporte të analizuara të lëshuara nga laboratorët testues të akredituar brenda dhe jashtë vendit”.

Qytetarët, të gjendur në situatë paniku ku njëherësh u rekomandua që të mos e përdorin thëngjillin, pastaj që peleti ka përmbajtje kancerogjene, thonë se po i përdorin drutë për ngrohje.

Sipas tyre, shumëkush nuk ka mundësi t’i blejë drutë, pasi ato kushtojnë shumë shtrenjtë.

E prerja e drunjve në shumicën e rasteve bëhet në mënyrë ilegale dhe shitja e tyre ka degraduar pyjet në vendin tonë.

Për gjendjen e pyjeve janë të shqetësuar edhe në Inspektoratin Pyjor.

Besim Zogaj, drejtor i Drejtoratit Qendror të Inspeksionit për Pylltari e Gjueti, tregon se gjatë vitit të kaluar nga inspektimet e bëra, 489 raste janë dërguar në gjykatë. Ndërsa, në periudhën janar gusht, 457 inspektime kanë rezultuar me 473 procesverbale.

Tash edhe shkollat kanë filluar të ngrohen me dru pasi është ndaluar nga Ministria e Arsimit përdorimi i thëngjillit.

Mirëmbajtësi i shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, thotë se i vjen shumë lehtë ta mirëmbajë kaldajën, pasi druri nuk po krijon pluhur.

Faktor tjetër po aq i rëndësishëm në këtë ndotje, janë edhe veturat.

Tashmë në Ligjin për Automjete është propozuar të hiqet kufizimi i importit të veturave nga 10 në 15 vjet.

Kjo u kundërshtua nga disa deputetët të Kuvendit të Kosovës, me arsyetimin se me heqjen e këtij kufizimi, Kosova do të shndërrohet në një deponi të veturave të vjetra, të cilat ndikojnë edhe në ndotjen e ambientit.

Kryesisht, veturat importohen nga Gjermania, por, sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, ka rënë dukshëm numri i importit të veturave të vjetra.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës i kanë thënë KTV-së se nuk janë pro këtij kufizimi, por Ministria do ta zbatojë vendimin e organit më të lartë legjislativ.

Meqë termoelektranat, thëngjilli, u cilësuan si ndotës të ambientit, e njëkohësisht prerja e drunjve po cilësohet si degradim i pyjeve, qytetarët kanë deklaruar se mënyra më e mirë për ngrohje do të ishte koogjenerimi ose ngrohja nëpërmjet avullit të prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Koogjenerimi po shihet si mundësi e vetme për ngrohje.

E derisa kjo të bëhet, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se shitja ilegale e thëngjillit do të vazhdojë, dhe tash për tash s’ka kush ta ndalojë.

Kryeshefi ekzekutiv i ‘Termokosit’, Naser Canolli, bën të ditur se pas 5 vjetësh pritet dyfishimi rrjetit të koogjenerimit.

E derisa kjo të bëhet, qytetarët do ta kenë të vështirë ngrohjen. Druri është i shtrenjtë, thëngjilli është mjaft i dëmshëm, peleti mbetet i dyshimtë e për ngrohje me rrymë as që bëhet fjalë.

Megjithëse ditëve të fundit kushtet meteorologjike kanë qenë në favor të ambientit, cilësia e ajrit vazhdon të mbetet e ndotur.

Për këtë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i ka këshilluar qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos qëndrojnë jashtë, sidomos në kohën kur ndotja e ajrit është më e madhe, gjë që shkakton dëme shëndetësore, kryesisht në sistemin e frymëmarrjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme