AKB: Gjakovarët të zhgënjyer me zhvillimin ekonomik

Gjakovë | 20 Pri 2017 | 15:13 | Nga

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka hapur zyrën rajonale në Gjakovë, sikur u tha, me qëllim të mbështetjes dhe gjetjeve të mundësive për rritje ekonomike, zhvillim të prodhimit e punësim.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se Gjakova në të kaluarën ka pasur një industri të zhvilluar prodhuese dhe eksportuese, por pas luftës kjo anë mbeti e shkatërruar e sidomos sektori prodhues, i cili nuk arriti asnjëherë të rimëkëmbet.

Sipas tij, AKB-ja do t’i ofrojë Gjakovës investitorë të ndryshëm me qëllim të rritjes ekonomike dhe punësimeve të reja.

“Ekonomia e vendit mund të rritet vetëm me zhvillimin e sektorit privat posaçërisht prodhimit”, tha Shahini.

Më tutje, kreu i Aleancës theksoi se rritja ekonomike po i mungon jo vetëm rajonit të Gjakovës, por tërë Kosovës. “Për të pasur zhvillim të qëndrueshëm, duhet politika thelbësore. Institucionet duhet të bëjnë reforma të thella fiskale e të cilat po i mungojnë vendit”.

“Ne do të përpiqemi që të gjitha shqetësimet e bizneseve të këtij regjioni që adresohen tek zyra në Gjakovë do të drejtohen për zgjidhje tek institucionet përkatëse”, tha kryetari i AKB-së.

Sipas tij, thuajse se asnjëherë ana qeverive të kaluara dhe të tashmet nuk kanë bërë edhe aq shumë për bizneset dhe zhvillimin ekonomik.

“Nga sot e këndej do të takohemi më shpesh dhe mund t’i shprehni shqetësimet e juaja me të cilat ballafaqoheni dhe të cilat do t’i drejtojmë tek institucionet për zgjidhjen e tyre”, u zotua Shahini.

Argjend Fetahu, kryetar i degës së AKB-së në Gjakovë, tha se hapja e kësaj zyre ka për qëllim të nxisë politika më të mira për zhvillimin e kësaj komune dhe rajonit.

“Nga sot bizneset do të kenë një mundësi të re për të avokuar e lobuar në mënyrë të organizuar përmes kësaj zyre të AKB-së, e cila do të jetë për bizneset dhe të tjerët që të zhvillojmë ekonominë”, tha Fetahu.

Sipas tij, AKB ka vizituar mbi 100 biznese të ndryshme për të identifikuar problemet e tyre, me ç’rast kanë parë se bizneset kanë shumë vërejtje në institucionet lokale e qendrore.

“Nga sot do jemi bashkë që t’i zgjedhim ato. AKB-ja në Gjakovë do të jetë partner i qeverisë lokale dhe aleat i bizneseve dhe zyra do të jetë për të krijuar plane biznesi, projekte dhe mundësi në qasje në fonde financiare”, tha Fetahu.

Kryetari i AKB-së në Gjakovë kërkoi nga të gjithë përkrahje në këtë mision ekonomik, sepse vendi ka nevojë për më shumë punësime e angazhime të reja.

Shaip Muja, deputet i Kuvendi të Kosovës, tha se hapja e kësaj zyre tregon më së miri se sistemi privat është shtylla e zhvillimit ekonomik nga të cilët varen shumë qytetarë e punonjës publikë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka krijuar politika spekulative, por të cilat për qytetarët e bizneset nuk kanë qenë të dobishme.

“Po të stimuloheshin bizneset do të kishim zhvillim më të hovshëm ekonomik”. Ai kërkoi nga bizneset që për çdo shqetësim që hasin të vijnë në zyrat e deputetëve e të cilat do të adresohen.

Lahi Brahimaj, deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se bujqësia fermerët e prodhuesit gjithnjë kanë qenë të shkelur. Edhe ai tha se bizneset e kanë derën e hapur që t’i shprehin shqetësimet e tyre, me qëllim që bashkërisht të zgjidhen problemet.

Sipas një komunikate shtypi nga AKB-ja, në kuadër të zyrës së saj në Gjakovë do të punësohen disa kuadro profesionale që do ta ndihmojnë dhe do ta mbështesin misionin e zhvillimit te ekonomisë vendore, e në veçanti sektorit prodhues.

Më pas mbi 50 biznese të rajonit të Gjakovës aderuan në AKB dhe iu ndanë certifikatat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme