AKB: Sektori i ndërtimtarisë i rëndësishëm për ekonominë e vendit, por e pengojnë pengesat burokratike

Prishtinë | 13 Qer 2019 | 14:57 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur konferencën lidhur me pengesat në procedurat e marrjes së lejeve të ndërtimit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se sektori i ndërtimtarisë është sektor i rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe se ka kapacitet të madh, por që zhvillimin e saj po e pengojnë pengesat burokratike.

Ai ka thënë që me ndihmën e kryesuesit të zgjedhur në maj, Brahim Selimaj, kryesuesit e kompanive kanë mundësi t’i shprehin pakënaqësitë e veta.

“AKB-ja në fillim të vitit ka paraparë rithemelimin e sektorit të ndërtimtarisë në Kosovë në kuadër të AKB-së. Gjatë kësaj kohe kemi pas takime të vazhdueshme për këtë sektor që ta rithemelojmë dhe ky sektor të ketë zërin e fuqishëm në ekonominë e vendit. Pas disa tentimeve ne kemi përdorë statutin për emërimin e një kryesuesi të këtij sektori. Kemi zgjedhur kryesuesin, Brahim Selimaj, që bart një eksperiencë të gjatë.”, tha ai.

“Sektori i ndërtimtarisë në vend është një sektor që i sjell vendit rreth 8% të brutoproduktit, po ashtu një numër të punësuarve dhe kjo është kontribut i madh. Sektori i ndërtimtarisë ka kapacitet të madh, por këtë e pengojnë pengesa të ndryshme, burokratike dhe kjo në momente të caktuara krijon korrupsion të ndërtimit dhe rindërtimit”, tha ai.

“Nëse ju jeni njerëz që i jepni vendit kontribut atëherë jemi ne që iu ofrojmë ndihmën në funksion të këtij sektori ashtu që të ndalet edhe hovi i të rinjve që tenton të ikë nga vendi”, shtoi Shahini.

Kryesuesi i sektorit të Ndërtuesve dhe Prodhuesve të materialit Ndërtimor në kuadër të AKB-së, Brahim Selimaj, tha se problemet e ndërtuesve janë të mëdha dhe duhet të qëndrojnë të bashkuar për të drejtat që i kanë dhe problemet për t’i tejkaluar së bashku.

“Ligjet që janë në Kosovë janë shumë të mira për kushtet ku jetojmë pri ato vetë i shkel pushteti lokal. E dini që nga paslufta e paguajmë taksën e infrastrukturës. Që nga paslufta e sot nuk kemi kthim dhe më e keqja është se jemi të obliguar dhe është e montuar një gjë e pahijshme që rrymën elektrike ne ia servojmë edhe tensionit të lartë edhe të mesëm”, tha ai.

Gani Mehmeti nga kompania “Nartel” tha se problemet rreh pronave po qëndrojnë tek ajo se nuk po mund t’i regjistrojnë në kadastër.

“Kanë kaluar 7-8 vite dhe nuk kemi mundur ti kalojmë disa prona dhe t’i regjistrojmë në kadastër. Nëse mundemi me pa sa mundemi me dhënë kontributin tonë që organet me qenë më të arsyeshme dhe mi pas parasysh rrethanat ku punojmë”, tha Mehmeti.

Sefedin Gashi nga kompania ndërtuese “Fiona” tha se po përballen me problemin me rrymë dhe që nuk po kanë mbështetje prej askujt.

“Sektori i ndërtimtarisë është në gjendje katastrofale. Deri sot jam duke punu me gjenerator, pa rrymë që kostoja ditore e imja është rreth 100 euro naftë plus defektet për gjeneratorin që punon tërë ditën. Unë e di që kur jepet leja ndërtimore jepet edhe pëlqimi i KEK-ut. Pse KEK-u nuk reagon, ne nuk po kemi çka me bë. E kemi bë trafon rreth 50 mijë euro na ka kushtu”, tha ai.

“Kemi problemin tjetër që nuk kemi mbështetje prej askujt. Hynë me 50 për qind kompensim por nuk e marrim as atë 50 për qindësh. Ku me u anku?!”, shtoi Gashi.

Të ngjashme