Aksion i madh në Telekom, katër të arrestuar

Prishtinë | 09 Mar 2022 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Një aksion i madh është zhvilluar të mërkurën në Telekom nga Njësia për Krime Ekonomike.Nga ky aksion janë arrestuar katër persona.

Katër zyrtarë të Telekomit të Kosovës kanë përfunduar në pranga nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Bëhet fjalë për tre gra dhe një burrë, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të Marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirave për reklama e lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe një Kompanie të nënshkruar në vitin 2018, njofton policia.

“Të dyshuarit (K.J., F.J., M.P., dhe Sh. Sh.), duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare përkundër faktit se kjo marrëveshje nuk ishte realizuar kanë nënshkruar raporte për përmbushje të kontratës me përmbajtje të rreme dhe me këtë i kanë mundësuar të dyshuarit me iniciale (R. K.) pronar i kompanisë përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi 100,000.00 (Njëqind mijë euro)”, thuhet në kumtesë.

“I dyshuari i lartcekur (R. K.) pronari i kompanisë i është shmangur paraqitjes në polici dhe i njëjti është në kërkim policor”.

Të dyshuarit e arrestuar me vendim të prokurorit pas interevistimit janë dërguar në ndalim policor.

Lajmin për aksionin dhe arrestimet e ka konfirmuar edhe Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të telekomit.

“Po është zhvilluar një aksion, janë arrestuar katër zyrtarë të Telekomit. Nuk e di kush janë. Aksioni është zhvilluar nga mesi i ditës”, ka deklaruar ai

Të ngjashme