Aksion i Policisë në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, arrestohen dy persona për fajde dhe shpërlarje të parave

Prishtinë | 11 Tet 2021 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, policia ka zhvilluar një aksion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë ku janë arrestuar dy persona.

R.J dhe H.D, dyshohet se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Shpërlarje e parave”.

Si prova materiale janë sekuestruar 3 mijë e 300 euro, dy telefona dhe 40 dollarë, njofton Prokuroria Speciale e Kosovës, përcjell Klankosova.tv.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se me urdhër të kësaj prokurorie, është zhvilluar një operacion për bastisje në lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë arrestuar dy (2) persona me inicialet R.J dhe H.D”.

“Operacioni është zhvilluar nga Policia e Kosovës, respektivisht, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, me ç’rast kanë arrestuar të pandehurin R.J, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Fajde” nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Shpëlarja e parave’’ nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 dhe 2 te Ligjit nr. 03/L-96 për Parandalimin e Pastrimit te Parave dhe Financimit te Terrorizmit”.

“Po ashtu, me urdhër të kësaj prokurorie nga Policia e Kosovës, është arrestuar edhe personi me inicialet H.D., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Fajde’’ nga neni nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.

“Gjithashtu, ju njoftojmë se dy personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tremij e një qind e tridhjetë (3,130) euro, dy (2) telefona, si dhe dyzet (40) dollarë”.

Të ngjashme