Aksion i madh humanitar, ndihmohen 100 familje skamnore në Prizren

Prishtinë | 28 Pri 2017 | 15:27 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me nga një pako në vlerë 55 euro ndihma, janë gëzuar sot 100 familje skamnore të komuniteteve të ndryshme në Komunën e Prizrenit.

Kjo falë Shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, të cilët në këto pako kishin vendosur gjërat elementare duke përfshirë detergjent, gjëra ushqimore e batanije.

Drejtori i kësaj shoqate Halil Kastrati ka thënë se nga aksioni i sotëm kanë përfituar 100 familje nevojtare, raporton Ekonomia Online.

“Janë 100 pako, vlera e një pako është 55 euro për një familje, pra janë 100 familje. Ja vlen me theksua se donatorë janë 6 mërgimtarë tonë përfshirë edhe një kompani këtu në Prizren ‘Abi Centër’. E kemi parasysh që me një pako nuk mundemi me i krye hall çdo nevojtari, por të paktën jemi krenar sepse iu lehtësojmë për një periudhë sado e shkurtë që është ajo”, ka thënë Kastrati.

Drejtoresha e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit, Sherife Balaj tha se janë të nderuar si institucion që kanë një shoqate bamirëse siç është shoqata “Jetimat e Ballkanit”, e cila sipas saj ka treguar gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet komunale për të ndihmuar familjet skamnore.

“100 pako ushqimore dhe detergjent po shpërndahen për 100 familje skamnore të Komunës së Prizrenit dhe jemi shumë falënderues ndaj kësaj OJQ-je dhe besoj se çdo herë do ta gjejnë derën e hapur në komunë dhe do të kenë përkrahje edhe prej institucioneve tona”, ka thënë ajo.

Ajo ka sugjeruar edhe shoqatat e tjera që të marrin iniciativa të tilla.

E ata që iu gëzuan më së shumti ishin familjarët të cilët të emocionuar prisnin që me rend t’iu thirrej emri dhe të merrnin pakon që u takonte pasi që siç thanë nevoja e tyre për gjëra elementare është e madhe.

Nexhmije Gashi e cila mori një pako tha se e falënderon shoqatën duke treguar edhe gjërat që i ka marrë në pako.

“E falenderoj këtë shoqatë. Kam marrë vaj, sheqer, miell të gjitha ato që më nevojiten. Shumë faleminderit prej tyre..Ju kisha thënë edhe shoqatave tjera me na ndihmua sepse nuk po kemi mundësi me i ble vet”, ka thënë ajo.

“Faleminderit shumë prej këtyre që po na ndihmojnë. Janë kujdes për neve sepse nuk i kemi kushtet, shumë faleminderit prej tyre”, tha Kimete Mazreku.

Kurse Emine Syla pohoi se ndihmat që i kanë marrë sot janë gjërat më të nevojshme që i nevojiten një familje.

“Këto janë sendet më të nevojshme për një shtëpi. I falënderoj shumë shoqatat, të gjitha janë të mira Zoti i shpërbleftë”, ka thënë ajo.

Drejtues të shoqatës bënë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të ndihmojnë edhe qindra familje tjera skamnore në tërë vendin.

Të ngjashme