Aktakuzë ndaj kosovarit që luftoi për ISIS-in

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.K. për shkak të veprës penale ”Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri A.K. në kohë të pavërtetuar të muajit korrik të vitit 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, ashtu që nga Aeroporti Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë, ka udhëtuar për në Stamboll dhe më pastaj me linjë tjetër të autobusit ka shkuar në qytetin Gazientep.

“I pandehuri A.K. sipas udhëzimeve të pjesëtarëve të ISIS-it, pasi që është vendosur në një shtëpi me disa persona të tjerë kanë kaluar kufirin në këmbë duke arritur në qytetin Raqa dhe pasi që është regjistruar në  ISIS, ka vijuar trajnimet taktike dhe luftarake me armë të zjarrta, më pastaj ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, fillimisht si anëtarë i batalionit “ABU MUSAB”ZARQAËI”, e që në tetor të vitit 2015, është transferuar në batalionin “UMAR HATTAB” në Damaskus”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje në njoftim thuhet se “në pranverë të vitit 2016, gjatë një sulmi në aeroportin ushtarak “AL-DAMAY”, për derisa ishte me automjet me pjesëtarë të tjerë të ISIS-it, kanë hasur në një minë tokësore ku është plagosur rëndë në kokë dhe pas 4 muajve qëndrimi në spital është aktivizuar në policinë ushtarake të ISIS-it, ku edhe me 29.12.2017, i pandehuri është arrestuar nga forcat demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më datë 19.04.2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.”

Me këto veprime i pandehuri A.K. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 par. 2 të KPRK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme