Aktakuzë ndaj ministrit Dalibor Jevtiç

Prishtinë | 15 Mar 2017 | 15:36 | Nga

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër tre të pandehurve D.J., N.S. dhe M.P., njëri prej tyre ministër, ndërkaq, njëri sekretar i përgjithshëm si dhe njëri drejtor i departamentit të administratës dhe financave të kësaj ministrie, pasi që dyshohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë, neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ekonomia Online mëson se bëhet fjalë për ministrin për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtic, sekretarin e përgjithshëm Nenad Stoiçetoviq dhe drejtorin e departamentit të administratës dhe financave, Mihailo Prlinčević.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit D.J., N.S. dhe M.P., në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre me qëllim që të përfitojnë çfarë do dobie për vete apo personin tjetër dhe njëkohësisht ti shkaktojnë dëme Ministrisë përkatëse.

I pandehuri D.J., në kundërshtim me nenin 16 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, ka nxjerr vendimin me nr.172/2 të datës 11.02.2014, me të cilin i jep në shfrytëzim të përhershëm të një (1) automjeti zyrtar pronë e Ministrisë një kompanie private, përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë komuna e Graçanicës.

Ndërkaq, i pandehuri N.S, si person përgjegjës për menaxhimin e pasurisë se kësaj Ministrie duke e ditur se një vendim i tillë është i kundërligjshëm ai pajtohet me një veprim të tillë dhe urdhëron zyrën ligjore të kësaj Ministrie që të përpiloj kontratën (marrëveshjen) mbi dhënien e automjetit në shfrytëzim të përhershëm Radio KIM TV-Centar me seli në Çagllavicë.

I pandehuri i tretë, M.P. si person përgjegjës në departamentin e administratës dhe financave në këtë Ministri, duke nënshkruar kontratën me nr.172/2 të datës 11.02.2014 në mes të ministrisë dhe Radio KIM TV- Centar me seli ne Çagllavicë duke dhënë në shfrytëzim të përhershëm automjetin e përmendur zyrtar.

Tre të pandehurit me këto veprime, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal i Republikës së Kosovës.

Të ngjashme