Aktakuzë për blerje e shpërndarje të narkotikëve

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër N.O., U.S., dhe A.S., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psiokotrope dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 2  lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, të pandehurit, pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me Ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje, në atë mënyrë që me datë 24.10.2017 dhe 28.10.2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh – Komuna e Gjakovës, kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit, ku në brendësinë e tyre kanë paketuar në total 130 kilogram e 649.32 gram substancë narkotike të llojit “marihuan” me qëllim të eksportimit në shtetin e Zvicrrës.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit N.O., U.S., dhe A.S., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psiokotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë. 

Të ngjashme