“Aktgjykimi i Kushtetueses për faljen e pronave Manastirit të Deçanit, është i vdekur”

Prishtinë | 12 Jan 2020 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, edhe në këtë vit kalendarik, e ka në planin e saj të punës presionin publik për të dhënë dorëheqje Arta Rama-Hajrizi nga detyra e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjyqtarja Arta Rama-Hajrizi, në cilësinë e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 20 maj  2016, ka lejuar gjyqtarët e kësaj gjykatë dhe më pas e ka nënshkruar Aktgjykimin nr.ref. AGJ 943/16, me anën e të cilit ka legalizuar si valid dhe ka jetësuar vendimet e kohës së masave të dhunshme të viteve 1990-1999, të kohës së Millosheviqit, ku pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” tjetërsohen dhe i falen Manastirit të Deçanit, drejtuesit e të cilit nuk e pranojnë dhe kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Mbi të gjitha me këtë Akt gjykimi, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dalë nga juridiksioni i saj dhe ka tejkaluar çdo normë ligjore e kushtetuese të vendit tonë.

Akt gjykimi i Kushtetueses i nënshkruar nga Arta Rama-Hajrizi, nuk është asgjë tjetër vetëm se një akt i rend tradhtie kombëtare, shkelje mbi e gjakut të dëshmorëve të kombit dhe mbi të gjitha është sulm i rëndë mbi rendin e ri kushtetues në Kosovë të themeluar pas vitit 1999, kur u nxor me forcë nga Kosova regjimi diktatorial i Millosheviqit dhe sulm mbi realitetin e ri të themeluar në Kosovën e pas 17 shkurtit 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit tonë, pavarësi kjo e njohur nga pjesa ma e madhe e vendet të botës demokratike.

Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” përsërit se Arta Rama-Hajrizi, duhet të japë dorëheqje dhe e njëjta të tërheqë nënshkrimin e saj nga vendimi i turpshëm dhe antikushtetues.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nr.ref. AGJ 943/16, i datës 20 maj 2016, i nënshkruar nga Arta Rama-Hajrizi, është i vdekur, i pazbatuar dhe null”, përfundon komunikata e Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri” në Deçan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme