Aktivistët e “Marshojmë s’festojmë” thonë se janë gjobitur nga Policia për marshin e 8 marsit

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Aktivistet/ët e Kolektivit “Marshojmë S’festojmë” kanë bërë të ditur të premten se më 16 mars janë njoftuar nga Policia e Kosovës se janë gjobitur për kundërvajtje për shkak të aksioneve simbolike të ndërrmara me 8 mars – Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Sipas aktivisteve, këto aksione janë paralajmëruar nga Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” dhe janë pranuar nga Policia.

“Për çdo vit, marshi i 8 marsit po bëhet më i fuqishëm. Këtë vit, marshi i organizuar në Prishtinë, karshi organizimeve në qytete tjera, u bë më gjithëpërfshirës qoftë në terma të kërkimit të përgjegjësisë, grupeve të përfshira dhe mjeteve të protestës. Përgjatë trajektores së marshit i cili filloi tek Pallati i Drejtësisë, në kërkim të drejtësisë për gratë e vrara, aktivistet/ët ndërmorën aksione simbolike duke hedhur ngjyrë dhe duke bërë grafite në formë proteste. Këto ndërhyrje e përshkuan të gjithë rrugën, duke përfshirë këtu Këshillin Prokurorial, Policinë e Kosovës, Këshillin Gjyqësor dhe Qeverinë e Kosovës. Përkundër paralajmërimit dhe lejimit të të gjitha ndërhyrjeve simbolike, Policia e Kosovës ka vendosur që të na gjobisë, e gjithë kjo në vazhdën e policimit të organizimeve feministe në Kosovë”, thuhet në njoftimin e aktivisteve të “Marshojmë S’festojmë”.

Sipas tyre, kjo gjobë është hakmarrje ndaj tyre, pasi në marsh e kanë cilësuar Policinë si një nga përgjegjëset kryesore për neglizhimin dhe trajtimin joadekuat të rasteve të dhunës ndaj grave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme