Aktorët paralajmërojnë padi ndaj Fatos Berishës, vodhi idenë e skenarit të filmit “Cirku Fluturues”

Prishtinë | 05 Dhj 2019 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Filmi ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji të Fatos Berishës, është një film i bazuar në ngjarje të vërtetë që vetë Berisha nuk e ka përmendur se kujt i ka ndodhur dhe e kujt është, megjithatë filmi po del të jetë i vjedhur nga ngjarja e shfaqjes ‘Moti pa Ton’ me tekst dhe regji të Blerim Gjocit, Lulëzim Guhellit, Skender Miftarit dhe Lirak Çelajt.

Pas shkrimit të Gazetës “Metro” të datës 3 dhjetor me titull “A e vodhi Fatos Berisha idenë e skenarit të filmit “Cirku Fluturues”, Vjosa Berisha, producent-ja dhe bashkëshortja e Fatos Berishës kishte reaguar me një status ku ajo e akuzon “Metro”-n për gjoja se është tendencioze.

Por, gjithë çfarë ka shkruar Gazeta Metro në artikullin e saj janë deklaratat e aktorëve dhe akuzat e tyre se ai skenar është vjedhur.

Ne po ashtu botuam edhe reagimin e saj, pro ajo injoroi atë që kanë thënë vetë aktorët e shfaqjes “Moti Pa Ton”?

Sipas tyre ata e kanë pasur të përfunduar një skenar për këtë ngjarje, për çka ka qenë në dijeni edhe vet Fatos Berisha.

Skender Miftari – Beck njëri prej aktorëve të “Motit Pa Ton” në pyetjen tonë për këtë tha se ata kanë pasur skenarin e përfunduar dhe realizimin e tij.

“Po, ne e kemi pasur skenarin e përfunduar. Javë të tëra kemi kaluar duke e shkruar këtë skenar, bashkë me Fadil Hysaj-n. Madje edhe kemi pasë diskutuar edhe me Isa Qosjën në atë kohë që ai ta realizonte atë, dhe Fatosi e ka ditur këtë. Dhe pikërisht këtu është problemi. Ideja, skenari, shfaqja por edhe i tërë projekti, ishte i yni! Madje edhe ai e konfirmon këtë në intervistën e tij për Cineuropa ku ndër të tjerash thotë: “…M’u deshën disa vite për të marrë vendimin për ta nisur atë, dhe unë isha i fundit nga grupi teatror që jam munduar ta shkruaj këtë histori….”. Pra kjo dëshmon që edhe ai e ka ditur këtë dhe përkundër kësaj e ka nisur këtë projekt”, tha Miftari.

Pra pikërisht kjo është arsyeja pse ne kemi hapur këtë dilemë, nëse ekziston një skenar paraprak për të njëjtën storie dhe tjetër kush e merr atë ide dhe e bën një skenar të ngjashëm kjo mund të interpretohet si vjedhje e idesë.

Gjithashtu, pjesa tjetër për të cilët aktorët po akuzojnë është marrja e aprovimit nga personazhet reale mbi të cilët është realizuar filmi, një informim të merret aprovimi i tyre për këtë.

Po ashtu ka folur edhe Blerim Gjoci, i cili tha se janë duke konsultuar gojarisht me disa juristë të fushës për të shikuar mbrojtjen e drejtës së tyre, pra krijimtarisë, privatësisë dhe trashëgimisë së tyre.

“Jemi duke u konsultuar me disa juristë të fushës. Edhe ligjet në Kosovë po edhe ato në Amerikë sanksionojnë rreptë veprimet e tilla. Bashkë me Skenderin, jemi duke u konsultuar për të filluar veprimet ligjore edhe në Amerikë për të mbrojtur të drejtën tonë. Por as në Kosove ligji nuk është më pak i ashpër. Krejt çfarë jemi duke bërë është jemi duke u përpjekur të mbrojmë krijimtarinë tonë, privatësinë tonë dhe trashëgiminë tonë! Asgjë më shumë. Pra, filmi ka të bëj me rrëfimet tona personale dhe ne as që pyetemi fare”, tha Gjoci.

Kujtojmë se para pak ditësh në ‘Black Nights Film Festival’ të Tallinit të Estonisë u shfaq premiera botërore e filmit “Cirku Fluturues”.

Të ngjashme