Alarmante vdekjet në vendin e punës, dominojnë në ndërtimtari

Prishtinë | 19 Dhj 2018 | 11:08 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Drejtoria për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë në Kuvendin e Kosovës ka organizuar tryezën me temën “Sfidat e punëtorëve dhe roli i Inspektoratit të Punës”.

Adelina Hasani, nga KDI ka thënë se një nga sektorët që kanë pasur më së shumti punëtorë të vdekur ka qenë ndërtimtaria, raporton Ekonomia Online.

Hasani paraqiti si sfiduese mungesën e inspektorëve, kërkojë që të rritet numri i tyre.

“Vdekja në vend të punës është alarmante, 23 punëtorë kanë humbur jetën gjatë vitit 2018. Nga mungesa e sigurimit shëndetësor, kontratat, shohim se nga aksidentet fatale janë në sektorin e ndërtimtarisë.  Qytetarët ballafaqohen me varfëri të madhe që pranojnë të punojnë edhe pa kushte pune. Me 52 inspektorë, thuhet se ligji për inspektoratin duhet të intensifikohet dhe numri i tyre duhet të rritet”, tha Hasani.

Ndërsa hulumtuesi Visar Rushiti, ka prezantuar hulumtimet parlamentare për tetë vende, ndërsa ka thënë se asnjë model nuk mund të merret shembull nga Kosova.

“Nuk kam pa ndonjë model i cili është i mirë në rajon në të cilin Kosova ish dashtë me u bazua. Ajo që e mbështesim është se inspektorati duhet të jetë ose komplet të decentralizuam, secila për fushën e vet, ose një inspektorat krejt i centralizuam dhe jo një inspektorat i koordinuar. Sa i përket kompetencave, në tetë shtete kom pa që fokusi në kompetencat e tyre është të mbikëqyrin proceset në marrëdhëniet e punës dhe sigurimin në shëndetin në punë”, tha Rushiti.

Deputetja e PSD-së, Besa Baftiu në cilësinë e kryetares së Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka prezantuar ndryshimet ligjore që parashihen të bëhen.

Ajo ka thënë se me Ligjin e ri për Inspektoratin do të analizohet numri i inspektorëve për kokë banori.

“Sa kam pa prej hulumtimit dhe projektligjit janë marrë parasysh një pjesë e organizimit, funksionimit, gjobat, kompetencat, janë në një masë të madhe siç janë të organizime në vendet evropiane. Nëse bëjmë një dallim prej ligjit aktual që e kemi për inspektoratin, janë evidente. Kemi pas ligjin nga UNMIK që me plotësim, nuk ka qenë ndryshim i madh prandaj ka qenë e domosdoshme të kemi ligj për inspektoratin që është më funksional dhe më i zbatueshëm”, tha Baftiu, raporton EO.

Sipas Baftiut, është dilema se si të parashihet mundësia e përcaktimit të numrit të inspektorëve sipas Ligjit. Sipas saj, duhet të diskutohet numri i tyre për kokë banori.

“E kam si dilemë se si ta parashohim mundësinë që ta përcaktojmë numrin e inspektorëve sipas ligjit. Do ta diskutojmë edhe në komision që të marrim një numër për kokë banori. Që pas luftës jemi për çdo herë, kemi pas vështirësi të akomodojmë shuma për inspektorët e punës. Është e rëndësishme që me ligjin e ri  të përcaktojmë numrin e inspektorëve sipas numrit të popullsisë”, tha Baftiu.

Sipas Baftiut, në buxhet thuhet se janë dhjetë vende për 2019, mirëpo ministri ka thënë se janë 13.

Të ngjashme