Albin Kurti ua uron francezëve 14 korrikun

Prishtinë | 14 Kor 2017 | 14:01 | Nga

Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, ua ka uruar francezëve 14 korrikun, ditën kombëtare të Francës.

Kurti ka shkruar përse kjo ditë, pos për popullin francez, ishte e rëndësishme për të gjithë popujt e botës.

Ky është postimi i Albin Kurtit:

Në 14 Korrik të vitit 1789 qytetarët e Parisit, bashkë me ushtarakët e revoltuar, sulmuan burgun e Bastijës ku mbaheshin të mbyllur shumë të burgosur politikë të regjimit monarkik absolutist. Sulmi i tyre revolucionar ishte fitimtar dhe menjëherë pas atyre ditëve Franca i dha ligjërisht fund feudalizmit e proklamoi si ligj “Deklaratën për të drejtat e njeriut dhe të qytetarit”, duke themeluar kështu republikën moderne.

Aristokracia kuptimin etimologjik mund ta ketë “sundim i të mirëve”, por në fakt ajo ishte sundim i të paktëve, i feudalëve, dhe përjashtim i të shumtëve. Prandaj u desh kryengritja revolucionare për të themeluar republikën, me pjesëmarrje universale të të gjithë popullit, i cili nga i përjashtuar u bë qytetar.

Prej asaj kohe të lavdishme Franca respekton jo vetëm ditën e sulmit në burgun e Bastijës, por edhe parrullën revolucionare “Liri, Barazi, Vëllazëri”, si edhe personifikimin e vetë revolucionit tek imazhi i një gruaje, Marianës, e cila prej atëherë shfaqet në emblemat republikane franceze si personifikim i lirisë e i arsyes.

Sot, në shekullin XXI ideali republikan francez vazhdon të mbetet shembull për shumë vendet ku ende sundojnë padrejtësisht të paktit e shtypen të shumtit, si në feudalizëm.

Andaj dhe një herë, ne që përkushtohemi për republikë e demokraci, për liri e për arsye, për barazi e vëllazëri, u urojmë francezëve 14 Korrikun.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme