Alfano premton se do ta ndihmojë Kosovën për heqjen e vizave

Prishtinë | 02 Maj 2018 | 15:25 | Nga

Nxitje e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunim për integrimin ndërkombëtar të Kosovës (Bashkim Europian, Interpol, njohje), liberalizimi i vizave, zhvillimet rajonale, ishin temat kryesore të bisedës mes dy ministrave. Italia do mbështesë Kosovën për liberalizimin e vizave, premton shefi i diplomacisë italiane.

“E vlerësoj shumë pasionin me të cilin ju po punoni për të realizuar ambiciet e vendit tuaj,”, ju drejtua ministri i jashtëm italian, Angelino Alfano, shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, gjatë një takimi në Farnesina, Romë, ku ministri Pacolli gjendet me ftesë të homologut italian.

Gjatë bisedës së ngrohtë dhe miqësore u diskutua për nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe-Italia është partneri i pestë ekonomik i Kosovës; liberalizimin e vizave dhe samitet e ardhshme Bashkim Europian-Ballkan Perëndimor, ashtu dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës (shtimi i njohjeve, anëtarësimi në Interpol, etj).

“Italia do t’ju mbështesë për liberalizimin e vizave, sepse ky është një hap më para i Kosovës drejt Europës”, tha ministri Alfano.

Ai, u angazhua për mbështetjen italiane në gjirin e organizatave ndërkombëtare, për shtimin e njohjeve në pellgjet gjeografike ku Italia ka ndikim, ashtu dhe për rritjen e investimeve italiane në Kosovë.

Ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, e njohu bashkëbiseduesin e tij me zhvillimet e fundit në Kosovë në planin rajonal, për bisedimet me Serbinë dhe disa prej prioriteteve në të cilat Kosova ka nevojë për mbështetjen italiane.

“Kur vij në Romë marr një energji të madhe që vjen prej një vendi me ndikim të madh ekonomik, kulturor në botën e sotme”, tha ministri Pacolli.

Ai, e informoi nikoqirin me angazhimin e Kosovës për jetësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në bisedimet e Brukselit me Serbinë, bisedime të cilat duhet të përfundojnë vitin tjetër, me një marrëveshje detyruese mes palëve, tha shefi i diplomacisë kosovare.

“Ne kemi interes për të ecur së bashku me Italinë, duam të jemi nxënës të mirë për këshillat e një vendi si juaji, prej nga vijnë rrënjët e Europës së bashkuar”, tha ai.

Ministri Alfano tha se Italia do të mbështesë integrimin e shpejtë të Kosovës dhe Ballkanit perëndimor, sipas strategjisë së zgjerimit, “duke u mbështetur tek instrumentet financiare të para-aderimit dhe binjakëzimin administrativ”.

Ai, vlerësoi angazhimin e Kosovës në bisedimet e Brukselit me Serbinë, “proces në të cilin do të kalojnë shumë çështje politike”, tha shefi i diplomacisë italiane.

“Ne presim, që 2018, të bëhet vit i integrimit të pakthyeshëm të Ballkanit në Europë”, vijoi ai.

Ministri Alfano u interesua të dinte për bashkëpunimin rajonal të Kosovës, në veçanti atë me Shqipërinë. Ministri Pacolli e njohu atë me angazhimin e tij personal për krijimin e një hapësire ekonomike të përbashkët, heqjen e barrierave ekonomike, doganore, etj, për ndërtimin e një infrastrukture moderne mes dy vendeve.

“Ne jemi të interesuar për ndërtimin e një hekurudhe me Shqipërinë, e cila do t’i shërbente dhe ndërmarrjeve italiane të interesuara për hapësirën tonë”, potencoi ai.

Vizita e ministrit të jashtëm të Kosovës dhe numrit dy të qeverisë në Itali, është e dyta brenda pak muajsh. Ajo kryhet me ftesë të homologut italian, si dëshmi e rolit italian në progresin e gjithanshëm të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me synim nxitjen e bashkëpunimit në shumë fusha. Italia është partner i rëndësishëm ekonomik i Kosovës, me një vëllim shkëmbimi prej 107 milionë eurosh, me tendencë rritje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme