Aliçkaj: Kemi kapacitete për të pranuar edhe persona të tjerë në Shtëpinë e të Moshuarve

Prishtinë | 04 Pri 2021 | 08:22 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë, ka hapësira për të pranuar edhe 35 persona të tjerë që i plotësojnë kriteret e vendosura për pranim në këtë institucion, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtoresha e Shtëpisë të Personave të Moshuar në Prishinë, Raze Aliçkaj, tha se kushtet në këtë objekt janë të mira.

“Po kemi mundësi,sepse ka hapësira me shtretër llogaritet diku 100 rezidentë, e për momentin janë 65 kështu që kemi hapësira dhe ata që i plotësojnë kriteret edhe vendosen. Gjitha këto procedura shkojnë përmes departamentit për politika sociale, familjare, komisioni që verifikon lëndën e kërkuesit që do të vendoset dhe ka nevojë”, theksoi tutje ajo.

Tutje, Aliçkaj ka treguar se nuk kanë rast aktiv me Covid-19.

“Jo nuk kemi raste aktive për momentin dhe për atë jemi shumë të lumtur, ku sot kemi bërë edhe dezinfektimin në të gjitha hapësirat e institucionit dhe ndoshta është edhe ana psikologjike e punës së higjienës”, tha ajo.

Punë të madhe në kohën e pandemisë kanë luajtur edhe personali shëndetësor që janë përkujdesur për të bërë më të lehtë periudhën e përballjes me pandeminë për personat e moshuar.

“Mjeku i institucionit duke i parë simptomat e para menjëherë ka marrë masa e i ka testuar, pas rezultatit kemi ndarë një pjesë pra një kat të objektit dhe e kemi lënë enkas për karantinë ku aty i kemi strehuar të gjithë rezidentët me radhë sepse jo të gjithë janë prekur me Covid përnjëherë, mirëpo janë trajtuar në mënyrë më të mirë të mundshme duke përshirë këtu oksigjenin ku ja kemi dhënë brenda institucionit, pra janë shëruar këtu me përjashtim të dy rasteve që i kemi dërguar në klinikat tjera por që prapë  i kemi kthyer  këtu”, deklaroi Aliçkaj.

Mes tjerash drejtoresha e këtij institucioni thekson që janë munduar të bëjnë të pamundurën për të shtuar kujdesin për këta të moshuar.

“Ne si institucion gjatë gjithë kohës së pandemisë nuk kemi qenë në karantinë, ku unë çdo ditë kam ardhur në orën 08:00 varësisht prej situatës duke përfshirë edhe këtu psikologen sepse vet komunikimi që bëhet nga një profesionist pikërisht në fillimet e pandemisë besoj që ka ndihmuar shumë, kemi ndaluar daljet dhe shoqërimet e tjera duke bërë kjo që t’i stresojë ata por që tash kjo është stabilizuar”, përfundoi Aliçkaj.

Pandemia po ashtu ka pasur efekt edhe në shëndetin mental të këtyre personave. Psikologia Remzije Fazliu, në një intervistë për EO, thotë se ka punuar maksimalisht t’i ndihmojë këta të moshuar ta tejkalojnë frikën nga Coronavirusi.

“E vërtetë është se ka qenë pak e vështirë fillimi sidomos kur është bërë izolimi i tyre pasi ne e kemi bërë më herët izolimin, kjo ka qenë pak e vështirë deri sa këta janë bindur se çka saktësisht po ndodh dhe me u njoftua me gjendjen e pandemisë. Gradualisht duke ju sqaruar dhe duke bërë këshillime psikologjike, kanë filluar edhe këta ta shohin dhe gjithçka ka shkuar në rregull, edhe pse gjithë kemi pasur frikë por jemi munduar që tek këta mos ta shfaqim, pasi dihet që mosha e tretë ka qenë pak më e rrezikuar”, tha psikologia Fazliu.

“Po ka qenë shumë frika më e madhe ku janë prekur një pjesë e tyre, pra ballafaqimi i tyre direkt me sëmundjen e izolimi që u është bërë apo karantinimi e kjo ka shkaktuar tek ta një situatë më të vështirë, që është dashur të merremi edhe më shumë me këtë gjendje”, u shpreh tutje ajo.

“Tash të them drejtën, pandemia i ka penalizuar shumë, sepse nuk kanë mundur të dalin, të shëtisin nëpër vende ku si qendër i kemi dërguar, ka ndikuar shumë kjo tek ta, mirëpo tash që kemi një stabilizim të gjendjes edhe emocionet e tyre janë më në nivel. Edhe tash që kanë dëgjuar për ardhjen e vaksinave mezi po presin me i marrë dhe më kanë pyetur edhe mua për vaksinën”, deklaroi ajo për Ekonomia Online.

Në oborret e Shtëpisë së të moshuarve pa përkujdesje familjare qëndronin disa nga të moshuarit, kishte nga ata që gjenin qetësi nën tingujt e radios, e disa të tjerë që ngushëllimin e kishin tek macet dhe kujdesin ndaj tyre.

Murat Sopi, rrëfeu sfidën e tij me pandeminë dhe kujdesin e stafit për ta.

“Po kur morëm vesh me të vërtetë kemi pasur frikë sepse e panjohur kjo ka qenë për të gjithë, por që faleminderit nga psikologia e cila na ka hequr frikën me të folurën dhe edukimin e saj por edhe stafi tjetër i shëndetësisë dukë na dhënë kurajo që mos me u frikësua dhe që me kohë kaloi. Ka qenë pak më vështirë kur na mbyllën sepse nuk mund të dilnim, por pastaj edhe infektimi dhe jemi mundur me u ruajt, por mund të them që menaxhimi ka qenë i mirë”, tha banori Sopi.

Ai thotë që ka mirëpritur ardhjen e vaksinave duke shpresuar që edhe ai ta marrë dhe të bëhet më mirë për vendin.

“Po kemi marrë vesh për vaksinat, natyrisht që do ta marrim, ndoshta do jetë më mirë dhe shpresat nuk do t’i humbim duke shpresuar që të bëhet më mirë”, theksoi tutje ai.

Të ngjashme