Ambasada e Çekisë ndihmon të verbrit

Prishtinë | 05 Nën 2017 | 14:52 | Nga

Mbështetja me teknologji për të verbër nga Ambasada e Çekisë në Kosovë, ka bërë që të verbrit të vijojnë mësimet në shkolla normale me fëmijët e tjerë, dukë i bërë ata që të integrohen në shoqërinë kosovare.

Zyrtarë të Ambasadës së Çekisë në Kosovë kanë thënë për Radio Kosovën se do të vazhdojnë edhe më tutje ta mbështesin integrimin e të verbërve në rrethin ku jetojnë.

Lume Berisha, autore e emisionit “Për një botë më të mirë”, që transmetohet në Radio Kosovë, i përket Shoqatës së të Verbërve të Kosovës. Lumja thotë se që nga viti 2013 trajton tema nga më të ndryshmet, duke filluar nga sfidat me të cilat po përballen ata, e deri te sukseset e kësaj kategorie

“Jam shumë e barabartë me kolegët, në asnjë formë nuk më trajtojnë si një person me aftësi të kufizuar, qoftë në biseda,qoftë në punë unë jam e barabartë me kolegët në Radio Kosovë. Në këtë emision janë trajtuar temat nga me të ndryshmet, qoftë tema sociale, por pa dallim ka raste edhe kur janë promovuar personat me aftësi të kufizuar”, tha ajo.

“Një nga prioritetet e Ambasadës Çeke në Kosovë është mbështetja dhe integrimi i personave të verbër dhe me pamje të dobësuar”, tha për Radio Kosovën këshilltari i ambasadorit të Çekisë në Kosovë, Behar Zogijani.

“Ju kemi dhënë teknologji që fëmijët e vegjël më nuk kanë nevojë të shkojnë më në shkollën e specializuar në Pejë. Por, ata shkojnë në shkolla të tyre të lagjes me fëmijë të tjerë që shohin dhe janë tërësisht të barabartë me shokët edhe shokët e tyre, dhe e bëjnë jetën e njëjtë siç e bëjnë fëmijët e tjerë”, tha ai.

“Mbështetja me teknologji për aftësim dhe zhvillim ka bërë që sot të kemi dhjetëra të verbër që kanë përfunduar studimet universitare”, tha Bujar Kadriu, kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës.

“I kemi pajisur studentët me softuerë, me telefona, dhe me disa pajisje shtesë që u mundësojnë studime më të lehta. Fatmirësisht me dhjetëra studentë kanë përfunduar studimet post-universitare”, tha ai.

Sipas Kadriut, Kosova shënon rreth 5 mijë persona të verbër, të cilët jo të gjithë janë integruar në shoqërinë kosovare. Po ashtu, ai thotë se problem po del të jetë punësimi i tyre, sepse jo të gjithë personat e verbër që kanë përfunduar studimet, gëzojnë të drejtën e punësimit që ligjërisht u takon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme