Ambasada Gjermane hapi 460 termine, për viza pune aplikuan 56 639 kosovarë

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 22:42 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka bërë të ditur se për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021 ka pranuar gjithsej 56 mijë e 639 aplikime. Ata kanë aplikuar për një prej rreth 460 terminëve që ka në dispozicion kjo ambasadë për këtë muaj. Por shifra e atyre që nuk duan të jetojnë në Kosovë mund të jetë edhe më e lartë. Kjo pasi ka edhe shumë të tjerë që synojnë të largohen edhe nëpërmjet vizave që mund të sigurojnë nga shtetet e tjera

Mbi 56 mijë kosovarë nuk duan të jetojnë në Kosovë. Kjo është shifra e atyre që kanë aplikuar për terminë për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Ata janë regjistruar me shpresën se do të përzgjidhen për një prej rreth 460 terminëve që ka në dispozicion kjo ambasadë për këtë muaj. Por shifra e atyre që nuk duan të jetojnë në Kosovë mund të jetë edhe më e lartë. Kjo pasi ka edhe shumë të tjerë që synojnë të largohen edhe me anë të llojeve të tjera të vizave e përmes ambasadave të vendeve të tjera.Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka bërë të ditur se për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021 ka pranuar gjithsej 56 mijë e 639 aplikime. Nga të gjitha regjistrimet, sipas tyre, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjedhur ata të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm.

“Secilin muaj jepen proporcionalisht aq terminë, ashtu që në fund të vitit arrihet kontingjenti prej më së shumti 5.500 vizave që eventualisht mund të lëshohen për këtë kategori”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane për Kohën.

Qytetarët që janë larguar tashmë nga vendi thonë se janë kushtet ato që i shtynë të largohen.

Atdhetar Hasani, i cili para rreth tre vjetëve është larguar nga Kosova në Slloveni, me anë të një vize të punës, ka thënë se është larguar për të gjetur një jetë më të mirë.

“Kam lindur këtu, kam dalë qe tre vjet gati, kam dalë me vizë pune. As këtu nuk kam qenë keq, por duke kërkuar një të ardhme më të mirë, për atë arsye kemi dalë, me pa ndonjë perspektivë më të mirë”, është shprehur Hasani.

E Rinor Hajdaraj, i cili gjithashtu është larguar nga Kosova në Itali, ka thënë se as nuk mendon të kthehet më në Kosovë për të jetuar.

“Qysh m’u kthy këtu dimrit kur dojna m’u mërdhi, s’ka rrymë, qysh m’u kthy”, ka theksuar Hajdaraj.

Ndërsa Muhamet Kasumi, i cili gjithashtu me vizë pune është shpërngulur në Kroaci, ka thënë se tani planifikon që atje ta marrë edhe familjen.

“S’ka kushte këtu, s’ka. Këtu edhe 200 vite duhet me e arrit atë qëllimin. Kroatët, ata kanë shkuar shumë, shumë përpara. Ne vetëm ëndërr mund ta shohim. Besoj që për një kohë të shkurtë e tërë Kosova do të zbrazet”, është shprehur Kasumi.

Drejtori i Hulumtimeve nga Instituti GAP, Jeton Mehmeti, ka thënë se numri i kërkesave për leje pune të paraqitura nga qytetarët e Kosovës në Agjencinë Federale të Punësimit të Gjermanisë përbën 30% të të gjitha aplikacioneve nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme