Ambasadori zviceran ia përcjell Presidentes Osmani urimin e Presidentit të Zvicrës

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim Ambasadorin Zviceran, Thomas Kolly, i cili e uroi për detyrën dhe ia dorëzoi asaj letrën e urimit të dërguar nga Presidenti Zviceran, Guy Parmelin.

Ambasadori Kolly konfirmoi edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë dhe disponimin e institucioneve zvicerane për një kapitull të ri të bashkëpunimit akoma më intensiv e më të gjerë.

Ndërkaq Presidentja Osmani theksoi se të dy vendet gëzojnë një raport të veçantë shkaku i lidhjes së afërt që kanë qytetarët e Kosovës me Zvicrën.

”Jemi të interesuar shumë që ta thellojmë bashkëpunimin dhe t`i shohim mundësitë për avansim të shkëmbimeve tregtare, zhvillimin e diplomacisë ekonomike, dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme që nga sundimi i ligjit e deri te mbrojtja e mjedisit”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në këtë kontekst, ambasadori zviceran, në emër të Forumit Ekonomik Zviceran, ia përcolli ftesën Presidentes Osmani për takimin e radhës që do të mbahet në shtator, ku do të jenë pjesëmarrës përfaqësues të disa prej kompanive më të mëdha zvicerane e botërore.

Palët diskutuan edhe për situatën me pandeminë dhe për mundësitë për realizimin e një bashkëpunimi bilateral në drejtim të sigurimit të vaksinave në një të ardhme të afërt.

Të ngjashme