Ambientalisti Afrim Osmani i shqetësuar me ndotjen e Prishtinës

Prishtinë | 15 Sht 2016 | 23:00 | Nga

Në vazhdën e aktiviteteve dhe takimeve me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, prof. dr. Afrim Osmani ka takuar sot kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të biseduar çështjet e mjedisit jetësor dhe problemet ekologjike me të cilat ballafaqohet qyteti i Prishtinës.

Meqë sipas raportit të Bankës Botërore, ajri në qytetin e Prishtinës, në krahasim me Londrën, është 3 herë më i ndotur, temë diskutimi ishte ndotja e ajrit, faktorët që e shkaktojnë ndotjen, pasojat e shkaktuara nga ndotja, si dhe masat preventive në lidhje me këtë çështje.

Gjendja alarmante e ndotjes së ajrit paraqitet gjatë stinës së dimrit, për arsye se në Prishtinë mbretëron mot me mjegull të dendur dhe lagështi të lartë të ajrit, si dhe me mungesë të erës, ka thënë Osmani.

Përveç kësaj, gjatë dimrit vjen në shprehje edhe rritja e sasisë së shkarkimeve të ndotësve në ajër, sikurse janë industria, transporti, konsumimi i lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje, etj. Si rezultat i kësaj vjen deri te krijimi i gjendjes së smogut, i cili është karakteristik për sezonin dimëror. Në këto kushte është konstatuar se përqendrimi i disa parametrave të cilësisë së ajrit, sikurse është PM10, është më i lartë dhe ndikon që cilësia e ajrit në Prishtinë të jetë jo e kënaqshme. Sipas një raporti të publikuar nga Banka Botërore, në lidhje me gjendjen mjedisore në Kosovë, niveli i lirimit të grimcave PM2.5 në ajër në qytetin e Prishtinës është mesatarisht 39.5, gjegjësisht deri në tri herë më shumë se sa në shumicën e qyteteve evropiane. Këto grimca besohet se shkaktojnë sëmundje të zemrës, kancerin në mushkëri dhe sëmundje tjera të frymëmarrjes.

Andaj, në lidhje me këtë, komuna e Prishtinës ka filluar një projekt për matjen e ndotjes së ajrit në 6 pika urbane të kryeqytetit. Nga matjet e para del se, në këto pika ka tejkalime të dioksidit të karbonit dhe të monoksidit të karbonit.

Në bisedë e sipër mes kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ambientalistit Osmani, bashkërisht u vlerësua se faktorë kryesorë për ndotjen e ajrit të Prishtinës janë: prodhimi i energjisë dhe minierat, duke përfshirë këtu termocentralet me thëngjill të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe sipërfaqja e saj për nxjerrjen e thëngjillit; druri dhe linjiti për ngrohje të shtëpive; kompanitë e ngrohjes qendrore; deponitë e mbeturinave urbane dhe industriale; komunikacioni i dendur, mosplotësimi i eko-standardeve nga ana e shfrytëzuesve të automjeteve; ndërtimet e reja në qendër të qytetit; vërshimet e shumta që ndodhin si rezultat i të rreshurave të mëdha; mosrregullimi i ujësjellësit dhe kanalizimeve për pastrimin e ujërave të zeza, etj.

Kryetari Ahmeti njoftoi me këtë rast për aktivitetet dhe projektet e mëdha që janë realizuar deri tani, si dhe për ato që janë në realizim e sipër. Ndër to u përmendën: shfrytëzimi i transportit publik me standard eko 6, si dhe obligueshmëria për shfrytëzuesit e automjeteve tjera që ta plotësojnë së paku standardin eko 4; hapja e shumë rrethoreve për lehtësimin e transportit në qytetin e Prishtinës; fillimi i realizimit të projektit për ndërtimin e dy parkingjeve nëntokësore, me çka do të ndihmohet në rregullimin e komunikacionit në qytet; shfrytëzimi i termoelektranave për ngrohje qendrore të Prishtinës; rregullimi i dy kolektorëve për rrjetin e kanalizimit, që është në vijim dhe kap vlerën mbi 30 milionë euro; përpunimi i planit ideor për teleferikun e qytetit të Prishtinës deri në Gërmi, qëllimi i të cilit është që sa më pak të përdoren makinat dhe automjetet; kërkesa nga komuna e Prishtinës për ndryshimin e ligjit për ndërtim, për lejet e kategorive a, b, c; ndalesa për ndërtime në qendër të qytetit; projekti për riciklim të mbeturinave, kostoja e të cilit sillet rreth 60 milion euro, etj.

Njëri nga problemet kyç për qytetin e Prishtinës, që ndikon në ndotjen e ajrit, është komunikacioni, përkatësisht shfrytëzimi i derivateve të naftës me cilësi të dobët, e cila përmban më tepër sulfur.

Në takim, ambientalisti Osmani ia propozoi disa masa preventive kryetarit të komunës së Prishtinës, të cilat është mirë të ndërmerren në kohë sa më të shpejtë, me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit, edhe atë: vendosja e filtrave në oxhaqet ku prodhohet energji elektrike; gazifikimi i qytetit; ndalesa për ndërtimin e objekteve të reja; shpallja e zonave të gjelbërta në qytetin e Prishtinës; shpallja e ditëve të drurit brenda vitit; vënia e bilbordave të gjelbërta, që paraqet edhe një trend evropian; shpallja e rrugëve një kahëshe; respektimi i eko-standardeve nga ana e shfrytëzuesve të automjeteve; subvencionimi i kolektorëve për shfrytëzimin e energjisë diellore; futja e mësimit ekologjik si lëndë e obligueshme për shkollarët fillorë dhe të mesëm; organizimi i fushatave që do ta sensibilizojnë në mënyrë permanente çështjen e mbrojtjes së ambientit jetësor; gjallërimi i eko-OJQ-ve në Prishtinë; respektimi i kalendarit ekologjik të përcaktuar nga OKB-ja, etj.

Të ngjashme