Amerika dhuron pajisje për Agjencitë e Zbatimit të Ligjit në Kosovë

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të dhuruar nga Qeveria Amerikane, përmes programit EXBS për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë Kufitare, Qendrën Kombëtare për Menaxhim të Kufirit, Ministrinë e Financave-Dogana e Kosovës, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencinë e Kosovës për  Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore.

Me këtë rast zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherit Koordinator Kombëtar i Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Isa Xhemajlaj, falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë në ngritjen e kapaciteteve për institucionet e sigurisë në Kosovë.

Ai theksoi se këto pajisje do të ngrisin edhe më tej cilësinë e kontrolleve të agjencive të zbatimit të ligjit dhe do të ndihmojnë zyrtarët e shtetit të Kosovës që të kenë më të lehtë të kryejnë veprimet e tyre operative.

Ndërsa përfaqësuesi i EXBS-së, George R Clarke, theksoi se ndihma e sotshme është në kuadër të mbështetjes për Agjencitë e Zbatimit të Ligjit në Kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe do të ndihmojë edhe më tej në punën e përditshme të këtyre agjencive.

Ai falënderoi të gjithë Agjencitë e Zbatimit të Ligjit për bashkëpunimin e mirë që kanë pasur deri më tani dhe shpreson se do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Pajisjet do të shërbejnë për zgjerimin e mundësisë që Qeveria e Kosovës përmes mekanizmave të zbatimit të ligjit të rritë sigurinë edhe më të madhe në kufi, për  kontrolle më strategjie të tregtisë, analizë të riskut dhe veprime për mbrojtje nga rrezatimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme