Amerika i kërkon Serbisë arrestimin dhe ekstradimin e Radosavljeviq

Prishtinë | 18 Shk 2019 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Kongresmenët amerikanë në takimin e zhvilluar në Mynih me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq kanë kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e Goran Radosavljeviq (Gurin), të njohur si ish-udhëheqës policor në Kosovë.

Ndërsa përgjatë takimit të Vuçiq me kongresmenët, këta të fundit i kërkuan atij të hetohet rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi në vitin 1999 dhe me këtë rast thanë se Radosavljeviq duhet arrestuar dhe ekstraduar.

“Ishte një bisedë shumë e vështirë, gjëja më e vështirë ishte rasti i vëllezërve Bytyçi”, ka thënë Vuçiq, transmeton Gazeta Blic e Beogradit.

Duke iu përgjigjur kërkesë së kongresistëve, Vuçiq u përgjigj shkurt se arrestimi duhet të ketë prova, e jo histori dhe spekulime mediatike.

Kurse në grupin e kongresistëve të cilët patën këtë kërkesë ishte edhe Eliot Engel.

Biseda, ndodhi pak kohë pas miratimit, në Parlamentin serb, të Marrëveshjes së korrigjuar për ekstradim ndërmjet Serbisë e SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara patën vendosur sanksione ndaj ish-zyrtarit të policisë serbe, i cili ka shërbyer si komandant i një kampi, ku janë vrarë vrarë tre vëllezërit Bytyçi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë më 18 dhjetor se Goran Radosavljeviq ka qenë “i përfshirë” në vrasjen e vëllezërve Bytyçi andaj edhe gruaja dhe vajza e Radosavljeviqit do të goditen me sanksione, bazuar në “seksionin 7031 (c)”.

Ky seksion i ligjit amerikan i mundëson Sekretarit amerikan të Shtetit t’ua ndalojë hyrjen në SHBA, zyrtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre në rast se ka “informacion të besueshëm se ata kanë qenë të përfshirë në korrupsion apo në raste ku janë abuzuar të drejtat e njeriut”.

Vrasja e Ilir, Mehmet dhe Agron Bytyçit, më 1999, ka qenë pikë kyçe për marrëdhëniet SHBA- Serbi, teksa Beogradi tenton të integrohet më shpejtë me vendet Perëndimore.

Vëllezërit Bytyçi kanë qenë shtetas amerikanë dhe Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta.

Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello në Serbi.

Më 2012 një gjykatë serbe për krime lufte ka liruar dy ish-zyrtarë policorë për përfshirjen e tyre në këto vrasje, me arsyetimin e provave të pamjaftueshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme