AMMK: Cilësia e ajrit në Prishtinë është përmirësuar

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 12:47 | Nga

Bazuar në matjet e realizuara nga dy stacionet monitoruese të cilësisë së ajrit në Prishtinë në zonë urbane dhe sub urbane përkatësisht oborri i ndërtesës Rilindja dhe oborri i Institutit Hidrometerorologjik, gjatë periudhës 26.11. 2016 deri me 29.11.2016, është regjistruar përmirësim i cilësisë së ajrit për të gjithë parametrat e monitoruar e veçanërisht për grimcat ne ajër (PM10 dhe PM2.5).

Siç raporton Drejtoria për Monitorim, Vlerësim dhe Raportim Mjedisor në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, aktualisht vlerat e PM10, për të cilin ishin regjistruar tejkalime në ditët e mëparshme, janë brenda kufijve të lejuar të vlerave mesatare ditore (50ug/m3).

“Nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit është vërejt se gjatë këtyre ditëve vlerat e regjistruara për PM2.5, kanë qenë brenda kufijve të lejuar me përjashtim të datës 26.11.2016 ku vlera maksimale e mesatareve ditore e regjistruar ka qenë 55 ug/m3, që korrespondon me zonën e portokalltë e që në bazë të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI) është e ndjeshme vetëm për personat me ndjeshmëri të lartë ndaj kësaj ndotje. Vlerat e regjistruara gjatë ditëve të tjera kanë qenë brenda normave të lejuara përkatësisht në zonën e verdhë dhe të gjelbër të Indeksit të Cilësisë së Ajrit, që i takojnë zonës me cilësi të kënaqshme të ajrit”, thuhet në këtë njoftim për media.

Ndërsa sa i përket vlerave kufitare ditore me PM10, Agjencia thotë se tejkalime janë regjistruar vetëm me datën 26.11.2016 me 65 ug/m3, ndërsa në të gjitha ditët tjera vlerat kanë qenë brenda limiteve dhe sillen mes vlerave 20 ug/m3 deri 37 ug/m3.

Ky përmirësim i gjendjes, sipas Drejtorisë për Monitorim, Vlerësim dhe Raportim Mjedisor, ka ardhur si rezultat i ndryshimit të kushteve atmosferike, përkatësisht paraqitjes së kushteve të favorshme meteorologjike për shpërndarjen e koncentrimit të ndotësve, sikurse janë largimit i mjegullës, paraqitja e erës, reshjet e shiut dhe reshjet e borës.

“Kjo gjendje ka ndikuar në shpërndarjen e koncentrimit të ndotësve që emitohen nga industria, transporti dhe nga ngrohtoret kolektive dhe ato individuale, duke përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit”, përfundon raporti i Drejtorisë për Monitorim, Vlerësim dhe Raportim Mjedisor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme