Anulohet seanca e së martës në rastin e Salih Mustafës në Hagë

Prishtinë | 27 Sht 2021 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Është anuluar seanca e caktuar për të martën, në rastin ku Salih Mustafa po akuzohet për krime lufte.

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarit të dytë të mbrojtur në seancën e së hënës, në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është bërë e ditur se për këtë javë kanë përfunduar seancat dhe se seanca e caktuar për të nesërmen është anuluar.

Gjykimi ndaj Mustafës pritet të vazhdojë javën e ardhshme, më 4 tetor, në orën 9:30, ku pritet të filloj dëgjimi i dëshmitarit të tretë të mbrojtur në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është konfirmuar më 12 qershor 2020

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme