Apeli i ashpërson dënimin për korrupsion kryeshefit të KRM “Uniteti”

Prishtinë | 13 Kor 2022 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë kundër, kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke ashpërsuar dënimin që Themelorja e kishte shqiptuar me gjobë prej 4 mijë euro.

Gjykata Themelore në Mitrovicë me aktgjykimin e 21 korrikut 2021 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Morina për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe e ka dënuar fillimisht me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e tij, dënimi më burg i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar këtë aktgjykim dhe të akuzuarit Morina i ka shqiptuar dënim me gjobë prej 7 mijë euro, pasi kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Kundër aktgjykimit të Themelores, në afatin ligjor ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë për shkak të vendimin mbi sanksionin penal, me propozimin që të aprovohet ankesa si e bazuar dhe të ndryshohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Po ashtu, edhe i akuzuari Morina ka atakuar vendimin me ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozimin që të aprovohet ankesa si e bazuar dhe të ndryshohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me gjobë më i butë apo të kushtëzuar, duke pasur parasysh situatën financiare.

Gjykata e Apelit pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të vendimit të ankimuar dhe pas vlerësimit të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë është e bazuar, ndërsa ajo e të akuzuarit është e pabazuar.

Prokuroria në ankesën e paraqitur ka pretenduar se gjykata është dashur të ketë parasysh dhe vlerësojë drejt rrethanat e parapara me KPPK me rastin e vendosjes për llojin dhe lartësinë e vendimit.

“Gjykata ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese duke mos i dhënë rëndësinë e duhur rrethanave rënduese si: shkalla e përgjegjësisë penale e të akuzuarit, kufijtë e dashjes së tij, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, pastaj gjykata është dashtë ta vlerësojë edhe rrezikshmërinë shoqërore-faktin se vepra penale të kësaj natyre janë të shprehura”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Sipas gjetjeve të Apelit, aktgjykimin e ankimuar e ka vlerësuar vetëm në drejtim të pretendimeve ankimore përkitazi me vendimin mbi dënimin.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar drejt rrethanat lehtësuese dhe rënduese me rastin e caktimit të lartësisë së dënimit me gjobë dhe kjo ka ndikuar në shqiptimin e një dënimi më të butë dhe në disproporcion me peshën e veprës penale të kryer nga i akuzuari.

“Rrethanat nën të cilat i akuzuari e ka kryer veprën penale në mënyrë të vazhdueshme duke mos përfillur obligimet ligjore edhe përkundër asaj se nga pozita e tij menaxheriale ai nuk ka qenë i penguar që jetë i njoftuar me procedurat dhe obligimet ligjore, në rastin konkret kjo si rrethanë të konsiderohet si rënduese për caktimin e lartësisë së dënimit”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Aktakuza ndaj Gazmend Morinës është ngritur më 18 maj 2021, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me të cilën akuzohej se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompanisë Rajonale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti” në Mitrovicë, duke shfrytëzuar detyrën e tij, i tejkalon kompetencat me qëllim që tjetrit t’i sjellë dobi.

Në aktin akuzues thuhet se me rastin e themelimit të marrëdhënies se punës për të punësuarën Çlirimtare Xhinovci, asistente ekzekutive, nuk janë përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës. Aty thuhet se dispozita e nenit 8, paragrafi 1 i këtij ligji parasheh: “punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”. Kurse paragrafi 2 i nenit në fjalë e parasheh: “konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar pa asnjë lloj diskriminimi dhe në kundërshtim me dispozitat e nenit 4, par.2, 3, 4, 5, të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, duke punësuar pa konkurs me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 5 dhjetori 2018 deri më 5 mars 2019.

Siç thuhet në aktakuzë, më rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarën Sellma Zaimi – zyrtare ligjore në KRM – Uniteti në Mitrovicë, nuk janë përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4, par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Aty thuhet se Zaimi është punësuar pa konkurs me kontratë mbi vepër në kohe të caktuar nga 22 korriku 2019 e deri më 22 nëntor 2019.

Tutje, sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Sami Pllana – zyrtar për siguri në KRM – Uniteti në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4, par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Aty thuhet se Pllana është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 1 prill 2019 e deri më 31 korrik 2019.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Shyqyri Hasani – mekanik në KRM “Uniteti” në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4, par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Aty thuhet se Hasani është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 1 qershori 2019 e deri më 1 tetor 2019.

Sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Muhamet Hajzeri – vozitës në KRM “Uniteti” në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4, par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Aty thuhet se Hajzeri është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 12 shkurti 2019 e deri më 12 qershor 2019.

Në fund, thuhet se më 13 mars 2019, në kundërshtim me Ligjin e prokurimit, neni 48, pika 14, sipas të cilit furnizimet/shërbimet mund të paguhen me para të gatshme kur vlera e tyre nuk tejkalon totalin prej 100 euro, në NTP “Loni Dekor” kishte blerë material për zyrë – veshje derës, krevate, divane, tavolinë pune, dekor muri, raft katror, tavolinë mesi në vlerë prej 2 mijë 680 euro.

Më këto veprime, Morina thuhet ka kryer veprën penale në vazhdim “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur më nenin 77 të KPRK-së. 

Të ngjashme