Apeli ia zbut dënimin me burg të akuzuarit për tentim vrasjen e vitit 2009

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 16:53 | Nga

Një vit më pak burg do të mbajë Adil Osmani, i akuzuar për tentim vrasjen e Riad Mulakut, ngjarje kjo që kishte ndodhur para afër 10 vjetësh në Vushtrri.

Kjo, pasi që Gjykata e Apelit ka vendosur që Osmanit t’ia zbut për një vit më pak dënimin e shqiptuar prej tre vitesh burgim nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, në maj të këtij viti, të akuzuarin Osmani e kishte shpallur fajtor për shkak të veprës penale të vrasjes në tentativë dhe ndaj të njëjtit kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej tre vjetësh burgim.

Në këtë dënim, të akuzuarit i është llogaritur edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga 19 prill 2009, deri më 30 qershor 2009, shkruan “Betimi per Drejtesi”.

Paraprakisht, Osmani e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur për këtë rast në gjykatën e shkallës së parë.

Mirëpo, me dënimin e shqiptuar nga ana e shkallës së parë e pakënaqur kishte mbetur mbrojtja e të akuzuarit, e cila kishte ushtruar ankesë në Apel.

Në seancën e 12 korrikut, kur edhe ishte shqyrtuar nga Apeli ankesa e mbrojtjes, avokatja e të akuzuarit, Kada Bunjaku kishte theksuar se i mbrojturi i saj nuk e ka ditur se për çfarë vepre kishte pranuar fajësinë, pasi që kishte menduar se akuzohet për lëndim e jo për tentim vrasje.

Në ankesën e saj, me të cilën avokatja Bunjaku e kishte atakuar aktgjykimin e shkallës së parë për shkak të shkeljeve të ligjit penal dhe vendimit mbi dënim, thuhej po ashtu se gjykata nuk ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese për të akuzuarin me rastin e shqiptimit të dënimit

Këto rrethana të cilat përmenden në ankesën e mbrojtjes, sikurse, mosha e re e të akuzuarit, fakti që i njëjti nuk ka qenë i dënuar më parë, ka kërkuar falje dhe mes tij dhe të dëmtuarit Riad Mulaku është arritur pajtimi, duhet të ndikojnë sipas mbrojtjes, që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i butë.

E këto pretendime të mbrojtjes të paraqitura në ankesë, si pjesërisht të bazuara i ka aprovuar edhe Gjykata e Apelit.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, kjo gjykatë ka vlerësuar se, gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimit të dënimit ka pasur parasysh të gjitha rrethanat që kanë ndikuar në llojin dhe lartësinë e dënimit, të cilat rrethana lehtësuese i ka marr si të vërtetuara edhe Apeli.

Mirëpo, sipas vlerësimit të Apelit, duke qenë se nga koha e kryerjes së veprës penale ka kaluar kohë e gjatë, i akuzuari me të dëmtuarin janë pajtuar, i akuzuari për herë të parë ka rënë ndesh me ligjin, e ka pranuar fajësinë dhe ka shfaqur keqardhje për veprën e kryer si dhe fakti se nuk ka rrethana rënduese, gjykata e shkallës së dytë ka arritur në përfundim se ka ende vend për zbutjen e dënimit ndaj të akuzuarit Osmani.

“Kjo gjykatë vlerëson se në praninë e rrethanave të tilla lehtësuese e me vlerësimin tani real të tyre, ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë, nga ai që ka shqiptuar gjykata shkallës, e sidomos kohën e kaluar nga kryerja e veprës penale, sjelljen e të akuzuarit pas kryerjes se veprës penale, se është penduar dhe i ka kërkuar falje të dëmtuarit janë pajtuar, e që në veti përfshinë vetëdijesimin e të akuzuarit për veprën e kryer penale, atëherë rezulton se dënimi i shqiptuar në aktgjykimin e ankimuar është i ashpër, për çka kjo gjykatë gjeti se ka vend për shqiptimin e një dënim më të butë, si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Publike të Qarkut në Mitrovicë, Adil Osmani akuzohej se më 19 prill 2009, në Vushtrri, pasi që fillimisht është fjalosur me të dëmtuarin Riad Mulaku në kafiterinë “Tantra” në Vushtrri, me të dal nga lokali, i akuzuari me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mulaku.

Bazuar në aktakuzë, vepra ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari me një thikë “patent”, e ka goditur të dëmtuarin në pjesën e epërme të trupit, dhe atë një herë në anën e majtë të shpinës,

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë’ nga neni 146 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme