Arbëreshët nga Sicilia vizitojnë Ministrinë e Mbrojtjes

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Mbrojtjes Burim Ramadani dhe gjeneral major Gëzim Hazrolli, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, pritën sot në vizitë ministrin e  Diasporës dhe Investimeve Strategjike z .Dardan Gashi së bashku me një delegacion të komunitetit arbëresh nga Sicilia e Italisë.

Zëvendësministri Ramadani së pari i dëshiroi mirëseardhje delegacionit arbëresh, duke  shprehur konsideratën e tij të lartë, jo vetëm për përkushtimin e këtij komuniteti në ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe, por edhe për kontributin e tyre të madh brez pas brezi, duke çmuar  në veçanti kontributin e pinjollëve të këtij komuniteti në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Më tej, zëvendësministri Ramadani tha se “Republika e Kosovës ka për objektiv kryesor integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO. Kosova ka orientim perëndimor, ashtu siç është edhe partneri ynë, shteti i Italisë, pra shteti juaj ku ju jetoni dhe kontribuoni, anëtar i NATO-s dhe i bashkimit Evropian”, u shpreh ndër të tjera zëvendësministri Ramadani.

Më pas, delegacioni arbëresh vazhdoi vizitën e tij në Komandën e Forcave Tokësore, duke u pritur  përzemërsisht në të gjitha repartet e saj.

Vizita e arbëreshëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ushtri u zhvillua në kuadër të aktivitetit  ,,Ditët e Arbëreshëve’’ në Kosovë, të organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj.

Të ngjashme