Arbërie Nagavci: Vendimi i uljes së dënimit për Pjetër Ndrecajn, mesazh i dëmshëm dhe i gabuar

Prishtinë | 14 Sht 2020 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se aktgjykimi i sotëm ndaj Pjetër Ndrecajt, ku i ulet dënimi në 24 vjet e gjashtë muaj burg, është mesazh i dëmshëm për ata që ushtrojnë dhunë ndaj grave.

Nagavci e cila vie nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se ky vendim ndaj vrasësit të ish-gruas së tij dhe vajzës, rritë pasigurinë e grave dhe vajzave viktima të dhunës.

”Vrasja e Valbona Markut dhe vajzës së saj 9 vjeçare nga bashkëshorti i saj, Pjetër Ndrecaj kishte tronditur me të drejtë të gjithë.
Autoritetet përgjegjëse shtetërore kishin dështuar të mbrojnë jetën e Valbonës dhe vajzës 9 vjeçare.

Por, sot, vendimi për të ulur dënimin për autorin e këtij krimi të dyfishtë është mesazh i dëmshëm dhe i gabuar për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë mbi gratë dhe veç sa rritë pasigurinë e grave dhe vajzave viktima të dhunës.

Shteti dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi mbrojtjen e jetës. Dhuna në familje ka ardhur duke u rritur, andaj sjellja e tillë e sistemit të drejtësisë jo që nuk i kontribuon parandalimit, por përkundrazi rëndon edhe më shumë gjendjen e rëndë të vajzave dhe grave në Kosovë”.

Të ngjashme