ARC njofton se ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes një komunikate të lëshuar për media ka treguar se ka planifikuar inicimin e zhvillimit të procedurave të prokurimit për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile për Zyrat Komunale të Gjendjes Civile, mirëpo për arsye procedurale ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile.

Ndërkaq, Agjencia e Regjistrimit Civil, ka kërkuar nga të gjitha Zyrat Komunale të Gjendjes Civile në Kosovë që në mungesë të formularëve të përdorën metodat alternative.

ARC, ka shtuar se u ka dërguar një njoftim të gjitha zyrave të gjendjes civile, që në mungesë të formularëve(dokumenteve të gjendjes civile), me qëllim të realizmit të drejtave të qytetarëve për pajisje me dokumente të gjendjes civile, nga sot më datë 28.03.2019, të fillohet me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në njoftimin tjetër.

“Këto dokumente do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Kërkojmë ndjesë nga qytetarët e Kosovës për mungesat e formularëve, megjithatë shërbimi për qytetarët do të vazhdojë të mbetët një prej prioriteteve tona më të rëndësishme.” Thuhet më tutje në komunikatë.

Të ngjashme