Arifi: Statuti i Asociacionit të hartohet sipas Kushtetutës, ndryshe rrëzohet sërish nga Gjykata

Prishtinë | 23 Kor 2018 | 07:58 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i negociatave me Serbinë nga Qeveria e Kosovës, Avni Arifi, ka thënë për Ekonomia Online se është e papërgjegjshme dhe humbje kohe përpilimi Draft-statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (AKS) vetëm konform marrëveshjes së Brukselit, e jo edhe sipas vendimit të Kushtetueses.

Ekipi menaxhues për themelimin e AKS-së ka bërë të ditur se është duke punuar në hartimin e Draft-statutit në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, i cili bie ndesh me rekomandimet e Gjykatës Kushtetues.

Kjo e fundit në verdiktin e saj të dhjetorit të vitit 2015, ka konstatuar se në 23 pika marrëveshja nuk është në harmoni me Kushtetutën, raporton EO.

Arifi ka thënë se këtë Draft-statut Qeveria e Kosovës do ta dërgojë sërish Gjykatë Kushtetuese dhe sërish do të hidhet poshtë.

“Ësht­ë humbje kohe, është e papërgjegjshme ajo sjellje e ekipit menaxhues. Nëse mendojnë se duhet të refuzojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese janë duke i bërë dëm komunitetit nga i cili vijnë, sepse po i humbin kohën”.

“Në rast se ata vijnë me një statut i cili është në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, do ta ketë fatin e marrëveshjes së parë të Brukselit. Është humbje kohe dhe për keqardhje”.

Arifi ka kërkuar nga grupi menaxhues që të hartojë Draft-statutin konform Kushtetutës së Kosovës dhe në këtë mënyrë të shpejtojnë procesin e krijimit të asociacionit, sepse sipas tij, është në interes të komunitetit të tyre dhe se kjo do t’ia lehtësonte punën bashkësisë ndërkombëtare dhe Kosovës.

“Mos harro se marrëveshja e Brukselit të cilës këta po i referohen parasheh që megjithatë edhe statuti dhe dekreti i statutit sërish duhet të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe marrëveshja e Brukselit të cilës këta po i referohen, kur të shkon në Gjykatë Kushtetuese dhe vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të gëzojë fatin e njëjtë sikur drafti i parë i marrëveshjes së Brukselit”.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dorëzuar një raport kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me punën e ekipit menaxhues, i cili është i ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit.

Kjo ministri ka thënë më herët se ekipi menaxhues ka mbajtur takime të rregullta me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe, po ashtu, i ka dorëzuar ministrisë raportet e punës së ekipit lidhur me detyrat që dalin nga vendimi dhe marrëveshja e Brukselit.

Asociacioni parashihet të ketë në përbërje kryetarët apo përfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, raporton EO.

Sipas Prishtinës, Asociacioni do të jetë një lidhje e komunave me kompetencat e një organizate joqeveritare dhe pa kompetenca ekzekutive, por Beogradi zyrtar kërkon një fushë të gjerë të kompetencave.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme