Arrestimet e Policisë mos të mbesin spektakël medial, Nimoni: Hetimet të zhvillohen më me kualitet

Prishtinë | 24 Shk 2021 | 14:39 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Genc Nimoni nga Organizata “Çohu” ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se aksioni i sotëm i arrestimeve nga Policia e Kosovës është e rëndësishme të mos mbetet vetëm një spektakël medial, por hetimi të zhvillohet në mënyrë kualitative dhe të dalë me rezultate.

Ai ka thënë se aksioni i sotëm ka qenë më i pazakontë, ku më i rëndësishëm ishte ai në Ministrinë e Bujqësisë.

“Ky aksion është mjaftë i rëndësishëm nëse nuk është një spektakël medial siç ka ditë të jetë në të kaluarën dhe ka të bëjë direkt me keqpërdorim të detyrës zyrtare, të zyrtarëve brenda këtij dikasteri. Gjithashtu ka të bëjë edhe me marrje apo dhënie të ryshfetit nga akterë brenda dhe jashtë këtij dikasteri. Është e rëndësishme që si hetim të zhvillohet më kualitetavisht në mënyrë që të kemi rezultate nga ky aksion dhe më pas natyrisht të hapet rruga për një gjykim të drejt dhe dënim meritor çfarë duhej të ishte dhe që ka munguar në të kaluarën” është shprehur ai.

Njësia Speciale dhe ajo e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, të mërkurën në mëngjes në një aksion ka arrestuar 12 persona dhe ka konfiskuar një rreth 400 mijë euro si dhe disa vetura. Aksioni është zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë si dhe në komunat, Gjilan, Istog dhe Pejë.

Sipas Nimonit në Kosovë rastet e tilla të arrestimeve të zyrtarëve të lartë për korrupsion, zakonisht përfundojnë me ndëshkime të buta qoftë me gjobë, kusht apo ndëshkime të tjera që janë alternative.

“Ajo që kemi parë në të kaluarën kanë qenë goxha spektakle të arrestimeve nga ana e policisë e prokurorisë mirëpo të cilat kanë dështuar fillimisht në aktakuzat e prokurorisë dhe pastaj edhe në dënimet e gjykatave. Fatkeqësisht po kemi raste të tilla si kjo kur kemi ndëshkime të buta qoftë me gjobë, qoftë me kusht apo ndëshkime të tjera që janë alternative. Kjo ka vazhduar ta dëmtojë tutje qoftë buxhetin publik të Republikës së Kosovës e gjithashtu ka ndikuar në mosndalimin e përsëritjes së këtyre veprave. Ajo çfarë duhet të ndodhë është që gjykatat duhet të ashpërsojnë politikat ndëshkimore në mënyrë që dënimi në fund ta kryej edhe njërin prej qëllimeve të tyre kryesore që është parandalimi i kryerjes së veprave të tjera penale qoftë nga zyrtarët e njëjtë qoftë nga të tjerët” ka thënë tutje ai.

Nimoni ka theksuar se nëse këto arrestime shënojnë rezultate nga ana e policisë dhe prokurorisë do të kenë ndikim pozitiv në procesin integrues të Kosovës.

“Fatkeqësisht Kosova ende vazhdon të rangohet dobët dhe keq në indekset ndërkombëtare kundërkorrupsion. Gjithashtu konsiderohet si një demokraci dhe një vend me sundim të ligjit të brishtë. Kosova ka pasur edhe si kriter luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të arrin më lehtë deri tek liberalizimi i vizave. Ajo çfarë mund të them është se në qoftë se këto arrestime të sotme dhe një punë proaktive e policisë dhe prokurorisë e gjykatave do të ketë rezultat natyrisht që edhe procesi integrues jo vetëm për liberalizim të vizave po edhe procesin integrues në përgjithësi të Kosovës”.

“Kemi qaluar shumë në këtë pikë dhe si rezultat i kësaj neglizhence të institucioneve në veçanti të këtyre të drejtësisë, qytetarët janë ata të cilët po pësojnë më së shumti. Qoftë me mungesë të lëvizës së lirë, qoftë me mungesë të perspektivave të tjera integruese”, ka përfunduar Genc Nimoni për EO.

Lexo më shumë:

Të ngjashme