Arrestohen 20 zyrtarë policorë në Vermicë

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Mëngjesin e së premtes, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) bashkë me Prokurorinë Speciale kanë zbarkuar në pikën kufitare Vërmicë ku deri tani janë arrestuar mbi 20 zyrtarë policorë, ka mësuar KP.

Aksioni po zhvillohet ndaj zyrtarëve policorë të cilët po dyshohet për kryerjen e veprës penale marrje ryshfeti dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

IPK bashkë me Prokurorinë Speciale kanë njoftuar se operacioni i koduar “Pika 2” ika paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe me udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit.

Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë (SPAK) dhe zyrtarët e Agjencisë për Mbikëqyrje Policore.

Më 14 mars IPK-ja dhe Prokuroria Speciale kanë zhvilluar një aksion të quajtur “Pika” e ku ishin arrestuar 48 policë.

Ata u patën arrestuar në pikat kufitare “Qafë Prushë” dhe “Qafë Morinë” e që dyshohen se janë të përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Të ngjashme