Arrestohen plaçkitësit e armatosur, njëri është nga Shqipëria

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Reagimi i shpejtë i policisë ka bërë që 2 plaçkitës të arrestohen sot, konfirmojnë zyrtarë të Ministrisë së Brendëshme. Njëri vjen nga Shqipëria, ndërsa tjetri nga Kosova.

Ishte ora 17:30 në rrugën “Mustafa Venhari” në Prishtinë, kur në një nga dyqanet e kësaj rruge kishte ndodhur një grabitje e armatosur.

Nga informacionet e përpunuara dyshohet që kjo grabitje të jetë kryer nga katër persona të maskuar dhe të armatosur të cilët me forcë kanë arritur të marrin arkën e këtij dyqani.

Menjëherë pas marrjes së informacionit të parë, policia e rajonit të Prishtinës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personave të dyshuar.

Reagimi i shpejtë i policisë si dhe masat e koordinuara operative, kanë rezultuar me kapjen në ikje e sipër të të dyshuarit; A. Braha, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, që dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në rast, gjetjen e një qante krahu brenda së cilës janë gjetur maskat, dorezat, një armë, dy thika, si dhe në një perimetër më të gjerë është gjetur arka e cila është grabitur nga dyqani në fjalë.

Ndërkohë që është zgjeruar horizonti i hetimit policia ka kryer edhe katër operacione të bastisjes në lokacione të ndryshme, me ç’ rast pas identifikimit ka arrestuar edhe të dyshuarin e dytë; L. Drenovci, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, që dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në këtë rast.

Përgjatë bastisjeve polici ka sekuestruar edhe gjësende të ndryshme të cilat mund ti shërbejnë ndriçimit të plotë të këtij rasti apo ndërlidhjes së këtyre personave me rastet e tjera, ndërkohë që të njëjtat mund të shërbejnë edhe si dëshmi në procedurë.

Pas arrestimit të dyshuarit me rekomandimin e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.

Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit , kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike , andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme