Arrestohet edhe një zyrtar policor lidhur me keqtrajtimin e 18 vjeçarit

Prishtinë | 03 Shk 2021 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë).

Sipas një njoftimi për media, arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“I njëjti ishte suspenduar ditë më herët me rekomandim të IPK-së. Hetimi kishte filluar nga IPK kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (vide-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, siç thuhet në njoftim, ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjtë pasi që IPK-ja kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndryshe, ditë më parë është raportuar se pjesëtari i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, Haris Kelmendi, i cili është arrestuar të enjten në mbrëmje për herë të dytë, nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, pasi përmes video incizimit shihet keqtrajtimi i një 18 vjeçari nga ky polic, e cila ngjarje ka ndodhur në vitin 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme