Arrestohet i dyshuari për gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë

Prishtinë | 20 Jan 2021 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të punës së shkëlqyer parandaluese që po bën policia e rajonit të Prishtinës, ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative të cilat kanë rezultuar me parandalimin e disa akteve të ndryshme kriminale.

Një pikësynim i veçantë ka qenë arrestimi i personave të kërkuar si dhe gjetja e armëve dhe municioneve dukuri kjo që kohëve të fundit ka qenë ndër prioritetet për tu luftuar nga ana e policisë së rajonit të Prishtinës.

Kësisoj pas marrjes së informatave në rrugë operative se në një hotel në fshatin Prugovc të Prishtinës është strehuar një i dyshuar i cili më datë 17.01.2021 kishte shtënë me armë zjarri në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, njësitë e specializuara të policisë ndërmorën një operacion bastisjeje me ç’ rast arritën të kapin dhe të arrestojnë të dyshuarin;

• E. M, mashkull 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe
pas një kontrolli të detajuar të ushtruar gjatë bastisjes policia arriti të gjejë dhe sekuestroj:

• Një revole të tipit ZORAKI, kalibër 9 mm,
• Njëzetedy copë fishek, kalibër 9 mm, si dhe
• Dy karikatorë.

I dyshuar, i kërkuar edhe për vepra të tjera kriminale, pas arrestimit është dërguar në stacionin policor për tu proceduar më tej në përputhje me rekomandimet e prokurorit të shtetit.

Së këndejmi ju sigurojmë që të gjitha nivelet e policisë në kuadër të drejtorisë rajonale të Prishtinës, me përkushtim të lartë po kryejnë detyrat zyrtare me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe parandalimit të akteve kriminale krejt kjo me qëllim të krijimit të rrethanave të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme