Digjitalizimi në arsim synohet të bëhet me fondet e IPA-s, Likaj zotohet për rishikimin e teksteve shkollore

Prishtinë | 19 Sht 2020 | 08:12 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pandemia ka bërë që Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ta shtyjë mbajtjen e testit PISA. Testi ishte paraparë të mbahej vitin e ardhshëm, por është shtyrë për vitin 2022.

Nodonëse testi është shtyrë ministri i Arsimit, Ramë Likaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë filluar reformën e teksteve shkollore, kryesisht në ato tekste ku ka pasur vërejtje.

Madje, Likaj thotë se do të investohet në trajnimin e mësimdhënësve, dhe në përmirësimin e kushteve të nxënësve në mënyrë që të arrihen rezultate në testin PISA.

“Siç e dini testi PISA është shtyrë për vitin 2022 ndërsa ne tash jemi duke bërë një reformë të thellë edhe të teksteve mësimore të cilat kanë pasur vërejtje dhe do të bëjmë rishikim komplet të teksteve mësimore. Ne do të punojmë në trajnimin e mësimdhënësve sidomos dhe do të investojmë në infrastrukturë, por do të investojmë edhe në përmirësimin e kushteve të nxënësve që t’i përmirësojmë rezultatet në testin PISA sidomos në ato fusha ku organizohet testi, por një prej pikave kyçe do të jetë trajnimi i mësimdhënësve dhe ne atë do ta bëjmë konform nevojave që i kanë mësimdhënësit duke u drejtuar nga trajnimi në bazë në shkollë”.

Ndërsa, sa i përket digjitalizimit në arsim ai thotë se janë duke përgatitur hartimin e një strategjie si dhe duke punuar me zyrën e Komisionit Evropian, në kuadër të projekteve të IPA-s.

“Për digjitalizimin në arsim ne jemi duke u përgatitur hartimin e një strategjie, jemi të interesuar për me e shtyrë procesin e digjitalizimit në arsim, qoftë sa i përket administrimit, por edhe përmbajtjes mësimore duke përfshirë”.

“Ne do ta shtyjmë këtë agjendë dhe jemi duke punuar edhe me zyrën e Komisionit Evropian për me na mbështet në kuadër të projekteve të IPA-s, ndërsa sa i përket mësimit në distancë ne kemi bërë të gjithë përgatitjet e nevojshme”.

I pari i arsimit ka folur edhe për Ligjin për Arsimin e Lartë. Ai ka thënë se Ministria e Arsimit është në fazën finale të përgatitjes së këtij ligji. Ai shpreson që edhe Lista Serbe të jetë pjesë e këtij zhvillimi.

“Ne me Listën Serbe nuk kemi komunikuar, por është kryeministri dhe zëvendëskryeministri i parë që e kanë marr për obligim dhe jemi në fazën finale të përgatitjes së Ligjit për Arsimin e Lartë dhe shpresojmë që edhe ata të jenë pjesë e këtij zhvillimi”.

“Sa i përket kontratës kolektive, kjo ka qenë e nënshkruar më herët dhe ish-ministrja Bajrami ka nënshkruar me SBAShK-un dhe disa komunave iu është varfëruar buxheti, për shkak se është detyruar me i paguar edhe shujtat e mësimdhënësve dhe transportin”.

“Por tash kontrata duhet me u rinegociuar dhe duhet të shikojmë brenda mundësive me SBAShK me gjet një kompromis, dhe po them gjithnjë tash nuk duhet me shfrytëzuar si argument edhe pandeminë por jemi në rrethana të tjera kur buxheti i Kosovës, ka rënie, buxheti në arsim ka rënie”, ka thënë Likaj për Ekonomia Online.

Në planin qeveritar ka qenë edhe punësimi i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla, dhe për këtë ministri Likaj thotë se do të mundohen ta çojnë përpara, e sidomos në shkollat e mëdha.

“Planet kanë qenë për tu punësuar edhe psikolog, dhe në planin qeveritar ne do të mundohemi me shty këtë punë, edhe në pakon Covid ne kemi 100 norma shtesë për psikologë edhe pedagog dhe i kemi kërkuar për ata që janë ekzistues por kjo është në planet tona dhe do të mundohemi ta shtyjmë përpara, sidomos shkollat e mëdha të kenë psikolog dhe pedagog”.

Ditë më parë disa organizata studentore kanë kërkuar lirimin nga të gjitha tarifat për studentë për vitin e ri akademik.

Por, Likaj thekson se këtë çështje do ta bisedon edhe një herë me kryeministrin Hoti, dhe ministren e Financave për një zgjidhje të përshtatshme.

“Unë e kam bërë një kërkesë dhe do të diskutojë përsëri edhe me kryeministrin edhe me ministrin e Financave dhe ne do ta shqyrtojmë kërkesën e tyre dhe kjo kërkesë më është adresuar edhe mu. Siç e dini për vitin e parë ata janë liruar nga pagesa, por do të shikojmë edhe të gjejmë zgjidhje që është e përshtatshme, por duhet pasur parasysh edhe kufizimet buxhetore”.

Banorët e katër fshatrave të Kamenicës, në bashkëpunim me mësimdhënësit dhe nxënësit ditë më parë kanë protestuar duke kundërshtuar reformat në arsim.

Por sipas Ramë Likaj, situata ka ardhur duke u rënduar për arsye se kryetari i Kamenicës ka vazhduar edhe më tutje me procesin e reformave, raporton EO.

“Reforma në Kamenicë, siç e dini kryetari Kastrati e ka filluar para dy viteve dhe ka qenë për optimizmin e rrjetit të shkollave, meqenëse në disa shkolla ka pasur numër shumë të vogël të nxënëseve, ndërsa nga buxheti i komunës se Kamenicës është dashtë me u paguar një numër i konsiderueshëm mësimdhënësve. Megjithatë kryetari Kastrati ka pasur një memorandum mirëkuptimi me SBAShK-un që asnjë prej mësimdhënësve mos të mbetet pa paga dhe me i gjet zëvendësimet përkatëse”.

“Edhe pse ministrja Bajrami ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me kryetarin Kastrati ne kemi qenë duke zbatuar atë memorandum, mirëpo ditëve të fundit situata ka ardhur duke u komplikuar më tepër për arsye se kryetari Kastrati ka vazhduar me procesin e reformave. Pra të dy palët duhet me gjet një zgjidhje për nxënësit”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme