Gashi i bindur: Deri në qershor plotësohen 90% e standardeve për kthim në ENQA

Prishtinë | 25 Shk 2021 | 13:57 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

ORCA sot ka publikuar “Raportin e monitorimit të Këshillit Shetëror të Cilësisë 2”, përmes të cilit janë publikuar të dhëna nga procesi i akreditimit gjatë vitit 2020, ndërhyrjet, kërcënimet dhe sfidat me të cilat është përballur Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), raporton Ekonomia Online.

11 kolegje nuk kanë akreditim institucional dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojnë studentë. Tetë prej tyre që janë vlerësuar gjatë vitit që shkoi, nuk arritën të plotësojnë standardet e nevojshme.

Me këtë rast, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditimit Naim Gashi, tha se Kosova është vendi i dytë në Evropë që ka filluar me procesin e akreditimit në distancë.

Gashi ka thënë se deri në qershor të këtij viti do të plotësohen 90% e standardeve për kthim në ENQA.

“Zyra e Agjencisë është e hapur jo vetëm për organizatat e shoqërisë civile por për çdo qytetar. I kemi kryer në afat rekord dhe jemi shteti i dytë që kemi filluar procesin e akreditimit në distancë, po ashtu jemi institucion me performancën më të mirë në Republikën e Kosovës”.

“Ideja e kthimit në ENQA nuk bëhet për qëllim të tyre por ideja është që të kemi cilësi në arsimin e lartë në vend dhe deri në qershor të këtij viti ne do ti plotësojmë 90% të standardeve që kërkon ENQA”.

Liridona Ademaj, nga ORCA tha se nga të gjeturat në raport në vitin 2020 janë riakredituar 3 universitete publike si dhe iu është refuzuar riakreditimi 4 kolegjeve.

“Raporti që po e publikojmë është rezultat i mijitorimit si dhe bashkëpunimit me AKA. Gjatë vitit 2020 tri universitete publike janë riakredituar ndërsa janë refuzuar për riakreditim 4 kolegje. 8 prej kolegjeve kanë dështuar të marrin akreditim ndërinstitucional”.

“E gjetur tjetër në raport ka qenë edhe denoncimi ndaj drejtorit të kolegjit ISPE nga drejtori i AKA-së Naim Gashi për shkak të presioneve për ti akredituar dy nga programet e këtij kolegji”, tha Ademaj.

Dukagjin Zeka, profesor në fakultetin e Bujqësisë dhe anëtar i Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, tha se pavarësisht ndërhyrjeve që kanë pasur asnjëherë nuk e kanë shkelur procedurën e ligjit për kthim në ENQA dhe EQAR.

“Për çdo vjet ne kemi vakuume ligjore që duhet të plotësohen. Ne kemi pasur sfida të shumta ku kemi pasur u.d dhe ndërhyrje politike dhe ne nuk kemi lejuar me shkel procedurën e ligjit që janë parakusht për kthimin në ENQA dhe EQAR”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme