Greva në arsim, vendosen banka shkollore afër ndërtesës së Qeverisë

Prishtinë | 24 Sht 2022 | 12:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë sot ka bërë prezantimin e instilacionit simbolik “Fëmijët në Shkolla”, duke vendosur banka dhe karrige me nga një mbishkrim ku paraqiten dëmet që mund të iu shkaktohen fëmijëve duke qëndruar pa proces mësimor, raporton Ekonomia Online.

Aktiviteti pati për synim të drejtën e fëmijës në arsim.

Në këtë aktivitet janë prezantuar edhe të dhëna dhe fakte rreth dëmeve që ndërprerja e mësimit shkakton tek fëmijët.

Drejtoresha Ekzekutive e KOMF, Donjeta Kelmendi tha për media se përmes këtij instalacioni kanë shprehur revoltën e tyre për situatën e krijuar për procesin mësimor në Kosovë.

Sipas saj, janë bërë tri javë që rreth 320 fëmijë janë jashtë bankave shkollore.

“Si koalicion, sot përmes këtij instalacioni një klasë e zbrazët me banka dhe karrige të zbrazëta, për të simbolizuar dhe për të shprehur reagimin, pakënaqësinë por dhe revoltën tonë për situatën e krijuar për procesin mësimor Kosovë. Janë bërë tri javë që rreth 320 fëmijë janë jashtë bankave shkollore, janë jashtë shkollës dhe nuk e kanë të drejtën e tyre elementare për arsim të cilën e kanë të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Kelmendi tha se situata e krijuar është jashtëzakonisht shqetësuese si dhe shumë e papranueshme.

“Nga palët shumë pak janë përmendur dëmet që janë shkaktuar te nxënësit dhe te familjet. Dëmet janë shumë të mëdha të cilat shkaktohen te fëmijët me ndërprerjen e procesit mësimor. Me mesazhet tona jemi munduar të tregojmë cilat janë dëmet kryesore që paraqiten te nxënësit. Duke filluar nga mësim nxënia, shëndeti mendor te fëmijët, mundësisë së shkaktimit të problemeve në familje, rritjen e dhunës në familje, rritja e stresit tek nxënësit dhe tek prindërit”, thanë tutje Kelmendi.

Greva e përgjithshme në sektorin publik, përfshirë edhe arsimin, ka nisur më 25 gusht. Më shumë se 300 mijë nxënës në tërë Kosovën kanë mbetur në shtëpi si pasojë e vendimit të mësimdhënësve për të mos e mbajtur procesin mësimor pa plotësimin e kushteve të tyre nga Qeveria. Një prej kushteve është 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Lexo më shumë:

Të ngjashme