Jasharaj: Këtë vit nuk kërcënuam me greva, u bashkuam që mësimi të fillojë (Live)

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 17:34 | Nga Kastriot Kokollari

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), në sallonin e radhës të organizuar ka trajtuar temën e arsimit.

Në këtë sallon me temën “Mësimi në kushte pandemie: Sa jemi gati?”, ka marrë pjesë Rrahman Jasharaj, Kryetar, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Merita Berisha, Departamenti i Mjekësisë Sociale, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Bardha Qirezi, Eksperte e Edukimit, Drejtore Ekzekutive EDUTASK

Jasharaj në fjalimin e tij, tha se SBASHK-u bëri apel në institucionet përkatëse që mësimi të shtyhet, për shkak se sipas tij, shkollat nuk ishin të gatshme për respektimin e masave të caktuara nga Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai, tha se ata kanë bashkëpunuar me të gjitha institucionet përkatës, që viti i ri shkollorë të fillojë ashtu siç duhet dhe të mos ndërpritet.

Jasharaj tha, se këtë vit për dallim nga vitet tjera ku kanë kërcënuar me greva e protesta, lanë anash kërkesat e tyre.

“Opinioni është mësuar të na shohë duke bërë greva e kërkesa, por kësaj radhe jemi bashkuar me IKSHPK-në, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit, që të japin kontributin tonë, që të ruajmë shëndetin e nxënësve dhe të fillojmë mësimin. Mësimi më produktiv është në shkollë”

Shtyrja e mësimit deri më 14 shtator ka qenë apel i qëlluar dhe këtë e kanë pranuar edhe të tjerët. Shkollat nuk ishin të gatshme të plotësojnë rekomandimet e IKSHPK-së”, tha ai.

Ai tha se SBASHK-u është i mobilizuar që mësimi të vazhdojë. Jasharaj ka thënë se janë kundër që personeli mësimor të bëjnë matjen e temperaturës për nxënësit, pasi mësimdhënësit kanë obligime të mëdha të tjera.

Jasharaj ka thënë se është koha që shteti t’i kthehet më shumë sistemit arsimor, që të ngritët cilësia në arsim, pasi sipas tij, cilësia e arsimit në Kosovë është e ulët.

Merita Berisha nga departamenti i Mjekësisë Sociale IKShPK ka thënë se në kësi lloj situatash sic po përballet vendi duhet të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional.

Mes tjerash ajo tha se qysh në fillim të përhapjes së virusit, ka pasur njohuri nga qytetarët se si të mbrohen.

“Ne pa pasur asnjë rast në Kosovë  kemi pasur përgjigjen e plan veprimit gati. Jemi munduar që sa më shumë të jemi të përgatitur. Në fillim edhe pse ka qenë shumë herët niveli i njohurive për virusin ka qenë shumë i lartë. Ne e ngrisim zërin vazhdimisht që të kemi një bashkëpunim ndërinstitucional. Nuk jemi në një kohë se cilat institucionet janë duke dhënë më shumë a më pak sepse e kemi një problem të përbashkët dhe duhet t’i bashkojmë forcat”

Bardha Qirezi, eksperte e edukimit, drejtoreshë ekzekutive, EDUTASK, gjatë debatit ka thënë se mungon komunikimi i shkollave, sepse nuk kanë sisteme digjitale të komunikimit.

Sipas saj, shkollat dhe komunat nuk e kanë pasur të planifikuar se cilat mund të jenë shoenzimet për parandalim të virusit në pajisje me masa mbrojtëse.

“Ideja ka qenë që shkollat të përgatiten për të gjitha skenarët. Edhe udhëzuesi i ka parametrat që janë të obligueshëm të respektohen nga të gjitha akterët. Shkollat e komunat nuk e kanë pasur të planifikuar se cilat janë shpenzimet për me parandalua përhapjen e virusit. Këtu jemi së bashku që ti ndihmojnë institucionet në qoftë se kanë ndonjë pengesë .Ne të gjithë kemi përgjegjësi që të ndihmojnë shkollën dhe këtu kemi parë një mobilizim të mësimdhënësve, të prindërve. Komunikimi është  pjesa më e dobët e shkollave sepse nuk kanë sisteme digjitale të komunikimit.”

Megjithatë ajo shton, se mësimi online ka treguar që përkatësia dhe lokacioni nuk e pengojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme