MASHTI distancohet nga zgjedhjet në UP, thotë se nuk u përfill reputacioni akademik

Prishtinë | 29 Qer 2022 | 12:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, qartësuar pozicionin e këtij dikasteri lidhur me zgjedhjet e fundit për anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës, si dhe për raportimet dhe vendimet e fundit të organeve të Universitetit lidhur me shkeljet e etikës në hulumtime e publikime, raporton Ekonomia Online.

Nagavci është distancuar nga procesi i zgjedhjeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Në një konferencë për media të mërkurën, Nagavci ka thënë se procesi nuk ka shkuar si duhet e se kjo u shkaktua nga “lakmi e vjetër”.

Nagavci në konferencë për medie të mërkurën, ka thënë se zgjedhjet për anëtarë të KD-së në UP, janë bërë pa u përfill veprimtaria akademike por vetëm interesat personale dhe grupore.

“Siç e kam thënë edhe javën e kaluar, zgjedhjet e reja për anëtarë të Këshillit Drejtues riprodhuan situatën e vjetër. Lakmia e individëve për të dominuar me Këshillin Drejtues prodhoi koalicione dhe marrëveshje joparimore brenda Senatit akademik, pjesë e të cilave janë menaxhmenti aktual, përfaqësuesit e stafit akademik dhe përfaqësuesit studentorë. E gjithë kjo rezultoi me një përfaqësim në Këshillin Drejtues me të cilin nuk mund të jemi të kënaqur. Nuk u përfill as veprimtaria akademike, as reputacioni, as angazhimi shoqëror i individëve, por vetëm interesat personale dhe grupore për ta vënë nën kontroll organin më të lartë qeverisës të Universitetit”, ka thënë Nagavci.

“U zgjodhën 5 anëtarë në mesin e të cilave nuk është asnjë grua, përkundër faktit se mbi 60% e stafit të rregullt akademik janë gra. MASHTI distancohet krejtësisht nga ky proces zgjedhor dhe siguron opinionin se nuk ka bërë asnjë lloj ndikimi për asnjë nga kandidatët që kanë garuar për anëtarë të Këshillit Drejtues. Aludimet se kemi ushtruar ndikim përmes një organizate studentore janë të papërgjegjshme dhe nuk kanë asnjë bazë. Isha shumë e qartë në shprehjen e qëndrimit tim në raport me rolin e përfaqësuesve studentorë, të gjithëve pa përjashtim, në këtë proces zgjedhor”, tha Nagavci.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për vendimin e Këshillit të Etikës për masat e shqiptuara ndaj profesorëve të UP-së, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit.

“Çështja tjetër të cilës dua t’i referohemi sot janë rastet e raportuara të shkeljeve të etikës në hulumtime dhe publikime që, me Rregulloren përkatëse të Universitetit, definohen si shkelje e rëndë disiplinore. Fillimisht, dua ta përshëndes adresimin e raportimeve të kësaj natyre nga ana e Këshillit të Etikës, i cili tanimë ka shqiptuar masa ndaj dy anëtarëve të stafit akademik. Masat e tilla duhet të kenë efekt parandalues në të ardhmen, si dhe të reflektojnë një distancim të qartë të komunitetit akademik nga praktikat e plagjiarizmit dhe shkeljeve të tjera etike në hulumtime dhe publikime”, u shpreh Nagavci.

“Me këtë rast dua të rikujtoj se vitin e kaluar kam emëruar 4 anëtarë të Këshillit Drejtues të cilët e përfaqësojnë MASHTI-in, të gjithë persona me integritet të lartë dhe jashtë organizimit partiak, emrin e të cilëve nuk e gjeni të lakuar për ndonjë skandal siç ndodhë me disa të sapoemëruar nga Senati akademik. Këta njerëz, dy gra dhe dy burra, kanë punuar me përkushtim për përmirësimin e gjendjes në Universitet dhe jam e bindur se do të vazhdojnë të punojnë kështu deri në përfundim të mandatit”, ka thënë tutje Nagavci.

Lexo më shumë:

Të ngjashme