Mësuesi Beqë Metë Tahiraj fiton çmimin “Shaban Jashari”

Prishtinë | 06 Mar 2017 | 11:28 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimit tradicional “Shaban Jashari”, me ç’rast janë ndarë edhe mirënjohje për mësimdhënës të dalluar për secilën komunë.

Çmimin vjetor “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar të vitit, këtë vit e mori Beqë Metë Tahiraj, arsimtar i Matematikës në Shkollën e Mesme Teknike “Tafil Kasumaj” në Deçan, raporton Ekonomia Online.

Ky çmim është ndarë për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, theksoi se mësimdhënësit nuk u dorëzuan asnjëherë dhe janë heronjtë të vërtetë.

“Mësimdhënësit nuk u dorëzuan asnjëherë përballë sfidave të cilat kaloi vendi ynë, ata rezistuan dhe janë heronj të vërtetë të kohërave në të cilat jetojmë dhe ata sot janë patriotë model sepse edukojnë të rinjtë tonë në frymën e atdhedashurisë, në frymën e një arsimi cilësor dhe në edukimin cilësor. Është vetëm një satisfaksion që ne japim për t’i stimuluar mësimdhënësit tonë që ata të promovojnë mësimdhënie moderne që të tregojnë se ne mund të ndërtojmë një arsim dhe edukim cilësor, të tregojmë që të rinjtë tonë, nxënësit tonë janë nxënës inteligjent”, ka pohuar ministri Bajrami.

“Shaban Jashari ka qenë figurë unike e mësimdhënies. Një mësimdhënës i cili edhe edukon të rinjtë me frymën e atdhedashurisë por edhe me shembullin e vet tregon se si duhet të mbrohet atdheu . Një personalitet, mësimdhënës e veteran por edhe si familje emblematike”, ka thënë ai.

Beqë Metë Tahiraj i cili u shpall mësues i vitit tha se ky çmim për të është befasi.

“Ka shumë mësues të mirë në Kosovë. Vet emri Shaban Jashari tregon sakrificën. Sakrificë me shpërnda rreze drite, me shpërnda të nxënësit dije”, ka thënë ai.

Ndërsa, mësuesja Vlora Dushi, nga Komuna e Gjakovës  përkatësisht nga shkolla “Mazllum Këpuska”, ka theksuar se ndjehet e privilegjuar me çmimin e marrë.

“Është një privilegj, është një nder i madh për mësimdhënësit ma merr mendja për të gjithë mësimdhënësit dhe për mua ta marr këtë çmim. Ky çmim do të thotë përkushtim, do të thotë punë më e madhe t’i ndihmojmë nxënësit tonë drejt rrugës së diturisë po ashtu edhe përmes procesit mësimor t’i mësojmë ata të bëhen qytetarët të ndershëm të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Në këtë ceremoni mirënjohje kanë marrë edhe mësuesit Qemajl Neziri, Syleme Bunjaku, Ulfeta Regjepagiq e mësues të tjerë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme