Në komisionin për Arsim kërkohet të ndërpriten fjalosjet dhe fyerjet

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 15:26 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur mbledhje ku ka miratuar Planin e punës për vitin 2019-të.

Aty u vendos që brenda këtij sesioni të ketë mbikëqyrje të ligjit parauniversitar, të arsimit të lartë dhe për sponsorizime.

Deputetja e Vetwvendosjes, Arbërie Nagavci, propozoi që të mbikëqyret ligji parauniversitar dhe të caktohet afati kohor për raportimin e raportueseve në lidhje me këtë mbikëqyrje, raporton Ekonomia Online.

“Të mbikëqyret zbatimi i ligjit parauniversitar sepse nuk po respektohet sa duhet dhe mendoj se është e rëndësishme me u mbikëqyrë ky ligj dhe me caktu afatin e raportimit të raportuesve në lidhje me mbikëqyrjen”, tha Nagavci.

Deputetja e AAK-sw, Teuta Haxhiu, tha se duhet të monitorohen ligjet si ai për arsimin e lartë parauniversitar, për trashëgimi dhe ligji për sponsorizime.

“Ligji që ka pas më shumë shkelje është ligji për arsimin e lartë”, tha ajo.

Deputeti i LDK-sw, Fidan Rekaliu, tha se edhe ligji për pjesëmarrjen e rinisë është i rëndësishëm, por ende nuk ka ardhur në komision. Ai kërkoi që të përshpejtohet ky projektligj që të vij për shqyrtim e mbikëqyrje.

Kryesuesi i komisionit, deputeti Ismajl Kurteshi, tha se vitin e kaluar komisioni nuk i ka vizituar shkollat në vendet rurale. Ai tha se fokusi nuk duhet të jetë vetëm në universitetet dhe në komunën e Prishtinës, por të bëhen vizita edhe në komunat tjera.

Kurteshi përmendi se komisioni gjatë një viti ka mbajtur 50 mbledhje më shumë se komisionet tjera, por sidoqoftë ai cilësoi se ka pasur shumë mungesa të anëtarëve në komisione.

“Ju kisha lutë që anëtarët që janë të zënë me punë tjera të zëvendësohen me dikë tjetër të grupeve parlamentare dhe të vij në vend të tij në mbledhje sepse mbledhjet janë shtyer disa herë mungesë të kuorumit”, tha Kurteshi.

Ai po ashtu përmendi mospajtimet ndërkolegiale që kanë eskaluar disa herë në mbledhje, por kërkoi mirëkuptim në mes të anëtarëve.

Deputetet Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Arbërie Nagavci kërkuan që të mos ketë fyrje ndaj kolegëve dhe tu ndërprehet fjala nga të tjerët siç ka ndodhur disa herë.

Bunjaku përmendi fjalosjen mes Haxhiut dhe Nagavcit që ndodhi herën e fundit. Ajo u shpreh se nëse vazhdojnë fyerje të tilla në komision LDK-ja do ta bojkotoj punën në komision.

Mbledhja e radhës u caktua të hënën e ardhshme në ora 13:00.

Lexo më shumë:

Të ngjashme