Në tetor fillon punën konvikti numër 8, do të pranojë mbi 300 studentë

Prishtinë | 06 Sht 2017 | 12:45 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mbi 300 studentë këtë vit do të kenë mundësi të vendosen në konviktin numër 8, ndërtimi i të cilit është në përfundim, raporton Ekonomia Online. Studentët në këtë konvikt do të kenë mundësinë të vendosen qysh në javën e para të tetorit.

“Kapaciteti sivjet do të jetë rreth 4 mijë vende. Kjo për vetë faktin se gjatë muajit tetor do të hyj në funksion investimi në konviktin numër tetë i cili i ka 305 shtretër dhe sado pak do ta zbus kërkesën aq të madhe të studentëve për t’u vendosur në qendrën e studentëve. Gjatë muajit tetor shpresoj shumë që 15 deri më 20 tetor do të përfundojë edhe ndërtimi i tërësishëm i konviktit numër tetë dhe studentët do të kenë mundësi që edhe këto kapacitete t`i shfrytëzojnë në akomodimin e tyre në qëndrimin e tyre për studimet që do t`i bëjnë në Universitetin e Prishtinës”, tha Sfishta për EkonomiaOnline.

“Studentët të cilët parashihen që të vendosen në konviktin numër tetë, në konviktin e ri do të njoftohen me kohë se kur do të vendosen apo të akomodohen në këtë konvikt”.

Ky konvikt, sipas drejtorit të Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta do të ofrojë kushte të mira për banim.

Sfishta bëri të ditur se përveç këtij konviktit të ri, janë bërë gati edhe për pranimin e studentëve në konviktet e tjera. Në konvikte këtë vit do të kenë mundësi të banojnë rreth 4 mijë student.

Edhe këtë herë, përparësi për të siguruar një vend në konvikt do të kenë fëmijët e dëshmorëve, të veteranëve të luftës dhe ata me gjendje jo të mirë sociale. Këto kategori do të kenë pikë shtesë për pranim.

“Si kusht primar do të jetë që të jetë student i rregullt i Universitetit të Prishtinës, që të jetë në largësi më shumë se 25 kilometra nga kryeqyteti. Nota mesatare luan rol vendimtar në arritjen e pikëve maksimale si dhe një numër i madh i kategorive të studentëve që vijnë nga shoqatat e luftës, fëmijët e dëshmorëve të luftës, invalidëve ose veteranëve të luftës dhe fëmijët të cilët kanë gjendje jo të mirë ekonomike sociale në familjet e tyre kanë përparësi në pikë që ata të pranohen në qendrën e studentëve”.

Sipas Sfishtës, vështirësia më e madhe me të cilën përballen është kërkesa shumëe madhe për t`u sistemuar në konvikt.

“Vështirësia më e madhe dhe keqardhja më e madhe është që një numër i madh i studentëve nuk arrijnë të sistemohen, të akomodohen në qendrën studentore për shkak se konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe dhe kjo është për keqardhje. Kjo e ka edhe anën pozitive të vetën sepse po na zgjedhin neve si qendër e studentëve si zgjedhje e parë e tyre.  Mirëpo fatkeqësisht nuk kemi kapacitete për një numër kaq të madh të studentëve”.

Edhe gjatë kohës kur ekipi i Ekonomia Online ishte në vizitë të qendrës së studentëve, konviktet ende ishin në proces të rinovimit. Njëri prej konvikteve që ishte në përfundim të rinovimeve ishte konvikti numër IV.

Konkursi për pranimin e studentëve në konvikt do të qëndroj i hapur deri më 15 shtator.

Lexo më shumë:

Të ngjashme