Qerim Qerimi zgjidhet rektor i ri i UP-së

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 14:49 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me vota të fshehta, Qerim Qerimi, profesor i Fakultetit Juridik është zgjedhur rektor i ri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, raporton Ekonomia Online.

Me gjashtë vota për, Këshilli Drejtues ka zgjedhur Qerimin për rektor me mandat të përgjysmuar.

Kandidati Sefer Avdiaj ka marrë një votë, Ermir Rogova një votë dhe Butë Dedaj një votë.

Qerimi, para votimit, shpalosi PLANIN E TIJ PËR UNIVERSITETIN. Mes tjerash, ai theksoi se synon rishikimin e statutit të UP-së dhe rritjen e bashkëpunimit me studentët.

Për rastet e plagjiaturave, një temë e aktualizuar kohët e fundit, ai theksoi se mund t’i zgjidhet përmes ndërhyrjes së profesorëve ndërkombëtarë.

Për këtë pozitë kishin aplikuar: Sefer Avdijaj nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), But Dedaj nga Fakulteti Ekonomik, Ermir Rugova nga FSHMN, Qerim Qerimi nga Fakulteti Juridik, Sali Salihu nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Ilir Tolaj nga Fakulteti Mjekësisë.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kishte emëruar si ushtruese të detyrës së rektorit, Luljeta Plakolli-Kasumin, profesoreshë në Fakultetin Juridik.

Konkursi ishte shpallur pasi më 21 tetor 2022, ish-rektori Naser Sahiti ishte shkarkuar nga Këshilli Drejtues i UP-së, me arsyetimin se kishte treguar performancë të dobët dhe mospërmbushje të detyrave të menaxhmentit të lartë sipas përcaktimeve të ligjeve dhe Statutit në fuqi.

LEXONI EDHE:

KUSH ËSHTË QERIM QERIMI, REKTORI I RI I UP-SË?

Qerim Qerimi është zgjedhur rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Qerimi, profesor në Fakultetin Juridik ishte njëri ndër gjashtë kandidatët cilët po garoin që të marrin titullin e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili vetëm pak momente më parë e ‘rrëmbeu” postin më të lartë të UP-së.

Si profesor në këtë fakultet Qerimi, aktualisht ligjëron në lëndët “ E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe E Drejta Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe Organizatat Ndërkombëtare”.

Përvoja e tij në procesin e mësimdhënies e ligjërimit përfshin edhe fusha të tjera si “E Drejta e Mjedisit”, “E Drejta Ndërkombëtare e Mjedisit”, si dhe “E Drejta Diplomatike dhe Konsullore”.

erimi është profesor vizitor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Antwerpenit në Belgjikë, është anëtar i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, kryesues i nën-komisionit për mbrojtjen e pakicave kombëtare si dhe ish zv/kryesues i nën-komisionit për sundim të ligjit të Komisionit të Venecias.

Në të kaluarën Qerimi në Universitetin e Prishtinës ka shërbyer edhe si Zëvendës Dekan për Çështje Akademike të Fakultetit Juridik dhe si ushtrues detyre i prorektorit të Universitetit.

E po ashtu, ai ka qenë hulumtues në Institutin Max Planck për të Drejtën e Krahasuar Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare në Heidelberg të Gjermanisë, ka qëndruar për studime dhe kërkime pas-doktorale në Universitetin e Harvardit si përfitues i bursës J. Ëilliam Fulbright të Qeverisë Amerikane, si dhe ka ndjekur Akademinë e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare.

Hulumtimi i tij aktual është fokusuar në ndërveprimin e ligjit dhe politikës në arenat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ligjit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe sundimit të ligjit dhe drejtësisë kushtetuese globale.

Gjithashtu, ai shërben si raportues për Oxford International Organizations (OXIO), një publikim i Universitetit të Oxford-it, që përfshinë analiza të dokumenteve që lidhen me të drejtën e organizatave ndërkombëtare, si dhe është anëtar i Nismës Akademike Kundër Korrupsionit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit (UNODC).

Përveç kësaj, Qerimi ka qenë pjesë e ekipit ligjor për mbrojtjen e Pavarësisë së Kosovës në rastin në lidhje me ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ka shërbyer si ekspert i Republikës së Kosovës në disa raste para tribunaleve ndërkombëtare të arbitrazhit (përfshirë rastin Axos kundër Republikës së Kosovës, me një padi prej afër 400 milion Euro, të cilin e ka fituar Republika e Kosovës).

Profesor Qerimi në kuadër të karrierës së tij ka edhe disa aktivitiete të cilat duhen theksuar. Ai ka ka qenë anëtar dhe kapiten i ekipit përfaqësues të UP-së në garën për të Drejtën Ndërkombëtare “Philip C. Jessup,” Washington, D.C., si dhe trajner dhe këshilltar i ekipeve të UP-së, në këtë garë për afër njëzet vite, trajner i ekipit të UP-së për Harvard National Model United Nations, në Holandë, ka qenë kryeredaktor në Revisten “CRAN”, reporter për revista vendore nga një numër seancash gjyqësore në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Qerimi për një kohë të gjatë ka qenë edhe gazetar në Kosovën e viteve 99’ dhe ka punuar në gazetat “Kosova Sot” dhe “Zëri” (ditor dhe javor), si dhe kontribuues për gazetën si “KOHA Ditore” në Kosovë dhe “Koha Jonë” në Shqipëri.

Ndër vite ai për punën e tij është shpërblyer edhe me çmime të ndryshme nderi. Qerimi ka diplomuar me nderimet më të larta “summa cum laude” në studimet e doktoratës dhe me nderime “cum laude” në ato të masterit.

Ka qenë Bursist i bursës “Fulbright” të Qeverisë Amerikane në vitin (2011); Fitues i çmimit Harold D. Lasswell për librin më të mirë në fushën e shkencave të politikave për vitin 2012 për librin “Development in International Law: A Policy-Oriented Inquiry”, dhënë nga Shoqata e Shkencëtarëve të Politikave, në Universitetin e Yale-it, New Haven, CT në vitin (2012).

Po ashtu, ka qenë fitues i bursës së Akademisë së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare në vitin (2006); Bursist i Komisionit Evropian dhe Institutit Max Planck për të Drejtën e Krahasuar Publike dhe Ndërkombëtare në vitin (2005); Bursist i bursave të Qeverive të Austrisë dhe Holandës, për qëllime kërkimi (në Universitetin e Vjenës) dhe qëllime studimi (në Universitetin e Utrechtit) (2008 dhe 2002/2003).

Ka fituar dy “book awards” për provimet më të mira; Editor Ekzekutiv (si pjesë e ‘top 3 për qind’ të studentëve), “The Intercultural Human Rights Law Review”;

E gjithashtu ka fituar çmimin e parë për esenë më të mirë në një kontest eseje për studentë të pas-diplomës, në aplikimin e qasjes së Shkollës së New Haven-it apo të teorisë së “ligjit, shkencës dhe politikave” në zgjidhjen e një problemi shoqëror në vitin (2005).

Ndër të tjera ka qenë edhe përfitues i bursës “Madeleine Albright Scholarship”.

Krahas kësaj, Qerimi shërben gjithashtu si raportues për Organizatat Ndërkombëtare të Oksfordit (OXIO), një bazë të dhënash me dokumente të shënuara që kanë të bëjnë me ligjin e organizatave ndërkombëtare, dhe është anëtar i Iniciativës Akademike kundër Korrupsionit të Kombeve të Bashkuara (ACAD).

Ndërsa duket se ai tashmë e ka të qartë vzionin dhe idenë e tij për UP-në dhe përmirësimin e silësisë së studimeve publike. Sipas planit të tij fokus në Universitetin e Prishtinës, është që të krijojë një institucion me status sa më të mirë, pasi që sipas tij universiteti ka një rol qendror në formësimin e vlerave shoqërore, dhe aspiratave të tij, duke ndikuar në jetë në mënyra të ndryshme.

“Si asnjë institucion tjetër, universiteti ka një rol qendror në formësimin e vlerave shoqërore, nevojave dhe aspiratave të tij, duke ndikuar në jetë në mënyra të ndryshme. Prandaj, kërkohet veprim dhe mendim kolektiv për t’ju përgjigjur efektivisht kësaj detyre kardinale. Nga ana tjetër, ky mendim kolektiv është subjekt i ndryshimit dhe evoluimit të vazhdueshëm. Prandaj, ecuria e përpjekjeve tona, në çdo fushë, varet nga idetë e formuara dhe të zbatuara mbi bazën e angazhimit të vazhdueshëm të komunitetit të gjerë universitar. Në këtë mënyrë, unë dua të përcjell ndjenjën time të këtij vizioni, të nxjerr në pah disa plane thelbësore në fushat kryesore për vitin e ardhshëm dhe më tej”, ka shkruar Qerimi në konceptin e tij të punës në UP.

Disa nga fushat e përqendrimit parësor të Qerimit përfshijnë:

Ndryshimi dhe plotësimi i Statutit të Universitetit dhe akteve të nevojshme zbatuese; Ripërtëritja dhe fuqizimi i personelit akademik të Universitetit; Zgjerimi i përpjekjeve dhe investimeve në shkenca, duke zhvilluar programe që financojnë projekte konkurruese në shkencat e aplikuara, teknologji dhe normat sociale; Zgjerimi i rolit ndërkombëtar të Universitetit: rritja e pranisë dhe pozitës së tij ndërkombëtare; Konsolidimi dhe forcimi i rregullave dhe mekanizmave në lidhje me integritetin akademik, sjelljen personale dhe profesionale, si dhe diskriminimin dhe ngacmimin; Sigurimi i përvojës dhe lehtësive më të mira arsimore për studentët: Riformësimi dhe rigjallërimi i kurrikulës mësimore dhe qendrave të testimit; Forcimi dhe mbështetja e kapaciteteve kërkimore të qendrave dhe instituteve me bazë kërkimore; Zgjerimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të stafit administrativ; Rivitalizimi i kapaciteteve institucionale për një komunikim sa më efektiv të rezultateve të stafit akademik, të arritjeve dhe kontributeve të tyre në shoqëri; Identifikimi dhe adresimi i vazhdueshëm i nevojave për burime, duke përfshirë partneritetet me biznese dhe entitete të tjera publike;.

Së fundmi profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi, është riemëruar për një mandat të dytë si anëtar i Komisionit të Venecias së Këshillit të Evropës më 29 shtator të këtij viti.

Gjithashtu, ai është zgjedhur nga Komisioni i Venecias edhe si kryesues i Nen komisionit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

“Në këtë cilësi, ai është anëtar i Byrosë së Zgjeruar të Komisionit të Venecias, organit qeverisës të komisionit. Gjithashtu, profesor Qerimi ka shërbyer si raportues i angazhuar nga Komisioni i Venecias për një numër çështjesh, përfshirë për draft-kushtetutën e Kirgizistanit dhe një numër reformash legjislative të lidhura me Bullgarinë. Riemërimi i profesor Qerimit në Komisionit e Venecias paraqet një konfirmim shtesë të potencialit të stafit akademik të UP-së, jo vetëm si ekspertë vendorë, por edhe ndërkombëtarë”, thuhej në njoftimin e UP-së pas zgjedhjes së Qerimit si anëtarë.

Kujtojmë se pas shkarkimit të ish rektorit të UP-së, Naser Sahiti, profesor Qerimi është duke e synuar këtë post dhe duket një nga kandidatët më serioz dhe të përgatitur për këtë pozitë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme