Reagon Këshilli i Prindërve, kërkon që maskat për nxënësit t’i sigurojë Qeveria

Prishtinë | 10 Sht 2020 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

Të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar janë të obliguar që të sigurojnë vetë maskat, të cilat do t’i mbajnë gjatë procesit mësimor. Këtë e ka përcaktuar Ministria e Arsimit përmes një udhëzuesi të cilin e ka nxjerrë ditë më parë.

E një veprim i tillë po konsiderohet joserioz nga anëtarë të Komisionit parlamentar për arsim dhe nga prindërit, raporton KTV.

Deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka, thotë se është e pakuptueshme se si Qeveria i fton nxënësit të shkojnë në shkolla dhe i obligon t’i blejnë maskat. Me këtë, sipas tij, qeverisja aktuale po e dëshmon se nuk e ka prioritet arsimin.

Edhe kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, vlerëson se është e pakuptueshme që t’u lihet barrë familjeve sigurimi i maskave për fëmijët e tyre.

Të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe drejtori i Institutit të Kosovës për drejtësi, Ehat Miftaraj ku në një postim në Facebook ka shkruar se sigurimi i maskave të nxënësve është obligim i shtetit.

Ai ka thënë se është shqetësuese se si do ta përballojnë familjet që jetojnë me social e që nuk kanë të ardhura sigurimin e maskave për fëmijët e tyre.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në një përgjigje me shkrim ka theksuar se sipas udhëzuesit të përgjithshëm të MASH-it çdo nxënës duhet të ketë maskën personale, e cila përdoret gjatë gjithë kohës së qëndrimit në ambiente të shkollës.

Megjithatë, Ministria thotë se përpos maskave të siguruara nga Drejtoritë komunale, partnerët, donatorët dhe vetë shkollat, MASH-i dhe Qeveria kanë ndarë një pjesë të buxhetit për maska, mjete të tjera mbrojtëse dhe dezinfektues, ku shkollat do të kenë fond rezervë të tyre.

Të ngjashme