SBAShK-u kërkon takim me Hotin e Likajn, grevën s’e shohin si kërcënim për institucionet

Prishtinë | 18 Jan 2021 | 12:52 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ende i sheh si opsion grevat nëse nuk u paguhen shtesat prej 100 euro.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se grevat nuk janë kërcënim për institucionet e vendit, por për janë paralajmërim për ta që të përmbushin kërkesat e sindikatës.

“Nuk është kërcënim, por unë do ta quaja paralajmërim sepse edhe me ligjin për grevat dhe konventat ndërkombëtare Sindikata është e obliguar të lajmërojnë me kohë dhe të tregojë që nëse nuk realizohen çka pritet tutje. Këshilli Drejtues e ka autorizuar kryetarin dhe Kryesinë që në rast se këto dy kërkesa nuk përmbushen unë dhe Kryesia jemi të autorizuar që të fillojmë me veprime sindikale”.

Jasharaj, tutje ka kërkuar nga kryeministri në detyrë dhe ministri i Qrsimit, që të ulen e të bisedojnë për kërkesat e SBAShKU-t, ngase ky i fundit thotë se tashmë është rrit edhe volumi i punës në arsim në këtë periudhë.

“Kryeministri Hoti dhe ministri Likaj duhet të ulen të bisedojnë me ne në mënyrë që të gjejmë një zgjedhje edhe për kërkesën tonë për shkak se volumi i punës në arsim është shtuar shumë. Besojmë që këtë javë ministri Likaj do ta tregoj këtë vullnet dhe me të nënshkruar të kontratës tensionet në shkolla do të bien sepse mësimdhënësit janë duke e pritur më padurim dhe ata besojnë që kryeministri Hoti do të ju dal në përgjigje që edhe sistemit arsimor t’i bëhet një mbështetje”.

Gjatë ditës së hënës ka filluar edhe gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor, për këtë çështje i pari i Sindikatës thotë se deri më tani i gjithë procesi mësimor është duke shkuar mirë pasi që nuk kanë ndonjë informatë nga tereni për ndonjë parregullsi.

“Siç e din edhe opinioni edhe këshilli drejtues i SBAShKU-t i kishte thënë po fillimi të periudhës së dytë, mirëpo dihet se dy kërkesat tona kanë mbetur pa u zgjedhur dhe opsioni i grevë mbetet i hapur, ne jemi në pritje që të takohemi me kryeministri Hoti edhe me ministrin Likaj ngase edhe sot rishtazi ju kemi dërguar shkresa zyrtare për takime. Nga ana tjetër vetë fakti se nuk kemi asnjë informatë nga tereni vlen të theksohet se gjysmëvjetyori i dytë ka filluar mirë. Pasdite do të komunikojmë me secilin veç e veç për të parë se si ka shkuar mësimi”.

“Ne përmes kryetarëve të nivelit komunal kemi përgatitur formular të cilët sot dhe gjatë ditëve në vijim do të shpërndahen nëpër shkolla dhe pastaj anëtarësia jonë do të deklarohet nëse i përkrah vendimet e këshillit drejtues që kryesia dhe kryetari në rast mos realizimit të kërkesave të shpall edhe veprimet sindikale”, ka thënë Jasharaj për EO.

Ai ka folur edhe për takimet me subjektet politike në vend, për t’i informuar ato për gjendjen e arsimit. Mirëpo ai ka theksuar se subjektet politike po presin fushatën që të takohen me ta.

“Deri më tash një përgjigje nuk e kemi nga subjektet politike pasi që ata presin zyrtarisht të fillojnë më fushat dhe në kuadër të fushatës ta bëjnë edhe këtë. Ajo që di dhe jam i sigurt se neve ju kemi dërguar të gjitha subjekteve politike ftesa zyrtare dhe unë uroj dhe besoj që ata janë në nivel të tillë të pjekurisë dhe se në takimet me ne nuk mund të ju sigurojmë vota”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme