SBAShK-u paralajmëron Kallëzim Penal ndaj Muratit – Jasharaj e quan “thikë pas shpine” mospagesën

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 15:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse nuk procedohen pagat deri të mërkurën, do të përgatisin një Kallëzim Penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Jasharaj ka thënë se veprimi i Qeverisë për mos pagesë për muajin shtator, është “thikë pas shpine”.

Ai ka thënë se në grevë kanë qenë edhe shërbyesit civil, por që këtyre të fundit u janë dalë pagat.

Ky veprim sipas Jasharajt, është tendencë e kryeministrit Albin Kurti, që ta ngulfatë zërin sindikal në Kosovë, e posaçërisht në SBAShK.

“Të gjithë anëtarët e SBAShK-ut këtë veprim e kanë konsideruar si thikë pas shpine sepse ne menxi e arritëm ta fitojmë numrin e duhur për pezullim dhe duke pritur se do të kemi mesazhe urime nga kryeministri Kurti e sidomos nga ministrja Nagavci për fillimin e vitit të ri shkollor, por ndodhi diçka e papritur dhe joligjore, madje edhe jo humane, ngase në grevë ishin edhe shërbyesit civil të cilët u proceduan pagat, ndërsa në sektorin e arsimit jo, dhe kjo nuk mund të shihet ndryshe përveç tendenca e vazhduar e Kurtit që të ngulfasë dhe ta shuaj sindikatën më të fortë në Kosovë që ka respekt nga niveli ndërkombëtar”, tha Jashari, teksa tha se këtë tendencë nuk do ta arrijë kurrë kryeministri Kurti.

Kritika ka edhe në adresë të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për të cilën thotë se nuk po i mbron interesat e mësimdhënësve, ndërsa ka paralajmëruar Kallëzim Penal ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“SBAShK-u ka 32 vjet jetë, deri tani kemi përjetuar edhe vitet e 90-ta, kemi pasur një pushtues këtu, por ne e kemi mbrojtur dritën kundër errësirës. Veprimi i tyre po del të jetë se nuk kanë dëshiruar që greva të mbyllet. Zonja Nagavci edhe gjatë grevës më së paku ishte ministre e Arsimit, ngase kishte deklarata tepër të rënda dhe nxitëse, dhe këto deklarata po shihen edhe pas pezullimit të grevës, ngase ajo kur e ka parë që sektori tjetër që nuk është i saj i ka marrë pagat dhe ka qenë në grevë, është dashur që të shkojë në Qeveri dhe të kërkojë sqarime. Nuk mund të jetë një ligj qoftë i mirë apo i keq, të vlejë për arsim ndalesa, kurse për shërbyesit civil të mos jetë. Ne i kemi dërguar një shkresë ministrit Murati ku ai do të gjejë argument dhe të thotë se pagat në arsim nuk do të merren për këtë arsye, dhe mandej ne do të marrim hapat ligjorë, do t’i drejtohemi institucioneve të drejtësisë, sepse ashtu kështu nga ne zotëri Murati e ka një kallëzim penal, dhe do ta ketë edhe një të tillë”, u shpreh Jasharaj.

“Më duket që e ka edhe këtë ide që të shuhet çdo zë sindikal dhe fokusi e ka tek ne sepse e di që jemi sindikata më e madhe numerikisht por që kemi mbështetje edhe nga unioni i sindikatave të Evropës. Mbase ata mendojnë se me të thyer të SBAShK-ut, sindikatat tjera janë më të vogla dhe do të marrin mësim dhe nuk do të guxojnë që të marrin veprime sindikale”, ka thënë Jasharaj për EO.

Lexo më shumë:

Të ngjashme