Tabuja “Fëmija im s’ka nevojë për psikolog” po tejkalohet, shkollat kanë mungesë të psikologëve

Prishtinë | 19 Qer 2022 | 10:05 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mungesa e psikologëve në shkollat e Kosovës vazhdon të jetë problem, sipas ekspertëve të fushës. Sipas tyre kjo nuk vjen si pasojë e mungesës së resurseve, por se nuk i është dhënë rëndësia e duhur kësaj sfere.

Edhe numri i pakët i psikologëve që punojnë në institucionet shkollore, nuk i kanë mjetet e duhura për të zhvilluar punën e tyre.

Ata theksojnë se prindërit janë më të “edukuar”, në kuptimin se i dërgojnë fëmijët te psikologu sepse kanë kuptuar se psikologët nuk trajtojnë vetëm probleme e çrregullime mendore.

Psikologu, Ilir Havolli për Ekonomia Online tha se mungesa e psikologëve në shkolla vazhdon të jetë shqetësim.

“Mungesa e psikologëve ne shkolla është një realitet mjaft shqetësues në kohën të cilën po kalojmë edhe përkundër thirrjeve te vazhdueshme, të shoqërisë civile, të shoqatave të psikologëve drejtuar Ministrisë së Arsimit, prapë se prapë MSh përkundër premtimeve që ka dhënë ka një numër shumë të vogël të psikologëve në shkolla. Por edhe ai numër i vogël që është, është zhvesh nga profesioni i tij përkatësisht nga roli i tij duke e shtyrë drejtë procesit të mësimdhënies”.

Tabuja “Fëmija im nuk ka nevojë për psikolog”, sipas Havollit veç se është kaluar nga prindërit. Ai konsideron se është arritur të kuptohet se psikologët nuk trajtojnë vetëm njerëzit e sëmurë.

“Po në krahasim me shkencat e tjera të cilat janë në Kosovë, shkenca e psikologjisë është më e reja në Kosovë dhe si diçka e tillë kjo tabu pothuajse është kaluar sepse prindërit kanë arrit ta kalojnë këtë tabu dhe me kaluar barrierën e të menduarit se psikologu trajton vetëm njerëzit e sëmurë. Prandaj, si diçka e tillë kjo është diçka që kaluar dhe tani prindërit me të vërtetë i dërgojnë fëmijët e tyre dhe duhet ti dërgojnë fëmijët e tyre çdo herë që vërejnë ndryshime në pagjumësi, në ushqim, në sjellje, në rënien e performancës në shkollë. Është mirë që çdo herë dera e parë ku duhet me trokitë të jetë dera e psikologut”.

Ai thekson se është shumë e rëndësishme që fëmijët të dërgohen te psikologu ngase kjo mund të ndikojë edhe në rritjen e perfomancës në shkollë.

“Është shumë e nevojshme që fëmijët të dërgohen te psikologu sepse psikologu për kundër që merret me trajtimin e çrregullimeve psikologjike, psikologu merret edhe me rritjen e cilësisë dhe performancës në jetë dhe në situatat akademike. Kur bëhet fjalë për fëmijë, atëherë është e domosdoshme që prindërit të kontaktojnë me psikologun, për arsye se psikologu mundet me ndikuar që fëmijët e tyre ta rrisin perfromncën në punë dhe në shkollë”.

Psikologu Visar Sadiku për Ekonomia Online tha se me rritjen e fenomeneve të ndryshme si bullizmit e ngacmimeve të tjera kërkesat për psikolog po rritet cdo ditë.

Sadiku, mungesën e psikologëve në shkolla e konsideron edhe si barrë financiare e logjistike për familjet.

“Pavarësisht që kë kërkesat kanë qenë të shumta ne po vërejmë dita e ditës fenomenet të cilat po vijnë si pasojë e mungesës së psikologëve në shkolla. Bullizmi si fenomen po rritet, ngacmimet po bëhen akoma më të vështira se sa viteve të kaluara. Mungesa e psikologëve në shkolla barrë financiare për familjen, është barrë logjistike për të ardhur për të caktuar kohën për të ndarë, për të udhëtuar dhe për prindin për të sakrifikuar një pjesë të rëndësishme të ditës së tij”.

Sadiku thotë se prindërit shumë pak janë vetëdisuar për t’i dërguar fëmijët e tyre te psikologu.

Ai thotë se familjarët më përpara adresohen te mjeku, pastaj te hoxha e prifti e krejt në fund kur nuk gjen zgjidhje shkojnë te psikologu.

“Vërehet një ngritje e lehtë e vetëdijes së komunitetit të gjithëmbarshëm. Tani aktualisht, ndonjëherë mund të ndodh që prindërit të referohen për të pranuar shërbime psikologjike si një mënyrë parandaluese për të parandaluar një gjendje e cila vetëm se po jep indikatorët e parë të shfaqjes”.

“Fatkeqësisht ne vazhdojmë të mbesim porta e fundit për të zgjidhur një problem. Familjarët adresohen tek resurset e ndryshme për të pranuar shërbime. Fillimisht është mjeku ai të cilin e takojnë, pas mjekut janë ato format e besëtytnisë të cilat i takojnë që i takojnë, hoxha apo prifti a dikush tjetër. Kur problemi vazhdon dhe nuk zgjidhjet ata dorëzohen dhe pastaj vijnë për të pranuar shërbime”.

Gentiana Buçaj, hulumtuese në institutin EdGuard, për Ekonomia Online tha se të gjitha shkollat kanë nevojë për psikolog në përditshmëri për t’u angazhuar me nxënësit dhe jo vetëm si pozita administrative.

“Të gjitha shkollat pa dallim nga numri i nxënësve, kanë nevojë për psikolog. Mirëpo, jo për psikolog si pozitë administrative brenda shkollës, por për psikolog që në përditshmëri është i angazhuar në punë me nxënësit e që me përkushtim dhe në komunikim me nxënësit, mësimdhënësit si dhe prindërit, kontribojnë në identifikimin në parandalimin, si dhe në trajtimin e vështirësive të ndryshme dhe problemeve psiko-sociale që hasin nxënësit në shkollë”.

Ajo thotë se është e rëndësishme që psikologët të përkrahen me programe profesionale në mënyrë që puna e tyre të jetë e mirëfilltë në ofrimin e shërbimeve ndaj nxënësve në shkolla.

“Po ashtu, është e rëndësishme që këta psikolog të përkrahen me programe të zhvillimit profesional që të sigurohet që puna e tyre është e ndërtuar mbi metodologji të mirëfillta për ofrim të shërbimeve në shkollë”.

Buçaj tha se në Kosovë ka psikolog të mjaftueshëm, por mungesa e tyre në shkolla vjen si pasojë e neglizhencës së institucioneve lokale.

“Sa i përket mungesës së psikologëve në shkollë, kjo vjen si pasojë e neglizhencës së institucioneve lokale në alokim të pozitave. Pra, megjithëse në Kosovë ka burime njerëzore të mjaftueshme e sidomos në fushën e psikologjisë të cilët nuk janë të alokuara në pozita të punës, si pasojë e kësaj neglizhence ata nuk janë të angazhuar në mënyrë efektive në institucione shkollore të cilat kanë nevojë më së shumti për ta”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme