Asgjësohen 21 tonë mish të prishur të BIK-ut, Thaçi jep detaje

Prishtinë | 21 Gus 2019 | 17:08 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka asgjësuar 21 tonë mish që mbahej në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës, që ndodhet në Veternik të Prishtinës.

 Zëdhënësi i AUVK-ut, Lamir Thaçi, në një prononcim për EkonomiaOnline, thotë se ky institucion ka konstatuar se në depon e BIK-ut nuk ka pasur kapacitet për ftohje dhe se ngrirja nuk është bërë me kohë.

Ai thotë se inspektimin e kanë bërë pas kërkesës zyrtare nga BIK-u.

“Ne kemi pranuar një kërkesë sot nga ana e zyrtarëve të Bashkësisë Islame për kontroll të një sasie të mishit e cila ka qenë në një depo të kontraktuar në lokacion në Veternik. Menjëherë kemi dërguar inspektorët tanë veterinarë për kontroll dhe pas kontrollit të detajuar është vërejtur që sasia prej 21 tonë mish e cila ka qenë e deponuar aty nuk i plotëson kushtet për konsum dhe është vendosur për asgjësim të tyre”.

“Gjatë kontrollit është vërejtur se mishi ka pësuar ndryshime, ka filluar të ndryshojë ngjyrën, ka filluar të kundërmojë dhe ka pasur rrjedhje nga disa paketime që dëshmohet se mishi është ngrirë dhe ringrirë. Po ashtu inspektorët kanë konstatuar se mishi i cili është deponuar aty nuk është ftohur në temperaturën të cilën kërkohet për ruajtjen e qëndrueshme”, thotë ai.

Thaçi thotë se asgjësimi është bërë në koordinim të plotë me BIK-un, të cilët edhe e kanë kontraktuar një kompani mbeturinash për asgjësimin e mishit.

 “Kjo ka shkaktuar që mishi të kontaminohet  dhe të prishte, dhe mbi këto elemente që janë evidentuar në procesverbalin e inspektorit është marr vendim për asgjësimë, i cili është kryer sot në koordinim me  Bashkësinë Islame cila ka kontraktuar kompaninë e mbeturinave dhe i gjithë asgjësimi është kryer nën mbikëqyrjen e inspektorëve tanë”, thotë ai.

Mishi është asgjësuar dhe groposur në deponinë e mbeturinave në Obiliq.

Të ngjashme